Kompania izraelite Cellebrite ka ndaluar Serbisë qasjen në produktet e saj pasi u zbulua se policia dhe shërbimi i sigurisë në këtë vend kishin përdorur teknologjinë e saj për spiunimin e gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, raporton Haaretz.
Sipas një raporti të publikuar në dhjetor 2024, studiuesit nga Amnesty Tech, dega teknologjike e Amnesty International, zbuluan se Serbia kishte shfrytëzuar teknologjinë e krijuar nga Cellebrite për të anashkaluar mekanizmat e sigurisë së telefonave inteligjentë dhe për t’i infektuar ata me softuer keqdashës.
Cellebrite shet teknologji të analizës digjitale për agjencitë e zbatimit të ligjit, përfshirë teknologji që mund të hakerojë dhe të depërtojë në telefonat inteligjentë të kyçur ose të fikur, duke nxjerrë prej tyre informacione të ndjeshme dhe të koduara.
Ashtu si softuerët spiunë, Cellebrite përdor dobësitë e sistemeve të mbrojtjes së telefonave, të njohura si “exploit”.
Megjithatë, ndryshe nga softuerët e zakonshëm për përgjim, të cilët mund të instalohen nga distanca, Cellebrite kërkon lidhje fizike me telefonin për të funksionuar. Për më tepër, ai nuk lejon ndjekje të vazhdueshme pas shkëputjes së lidhjes dhe nuk mund të monitorojë pajisjen pasi ajo të jetë kthyer në përdorim.
Sipas raportit të Amnesty International, shërbimi i sigurisë së brendshme serbe kishte shfrytëzuar teknologjinë e Cellebrite jo vetëm për të marrë informacion, por edhe për të instaluar aktivisht softuer spiun në pajisjet e viktimave, pas zhbllokimit të tyre.
Nën presidencën e Aleksandar Vuçiç, media, gjyqësori dhe shoqëria civile kanë qenë vazhdimisht në shënjestër të regjimit.
Kompania izraelite Cellebrite deklaroi të enjten se, pas shqyrtimit të akuzave të ngritura në raportin e Amnesty International, kishte ndërmarrë hapa konkretë për të hetuar pretendimet në përputhje me politikën e saj të etikës dhe integritetit.
“Ne e konsideruam të përshtatshme që në këtë moment të ndalojmë përdorimin e produkteve tona nga klientët përkatës. Po rishikojmë vendet me të cilat bashkëpunojmë”, deklaroi kompania.
Cellebrite është një kompani izraelite e listuar në Nasdaq, me mijëra klientë në SHBA dhe në agjencitë e zbatimit të ligjit në mbarë botën. Megjithatë, gjatë viteve, teknologjia e saj për hakimin e pajisjeve ka përfunduar në duart e regjimeve represive, të cilat shtypin aktivistët e të drejtave të njeriut, pakicat dhe komunitetin LGBTQ.
Sipas Haaretz, klientët e Cellebrite kanë përfshirë regjime autoritare që janë nën sanksione ndërkombëtare, si Bjellorusia, Kina dhe Hong Kongu, Uganda, Venezuela, Indonezia, Filipinet, Rusia, Etiopia, Pakistani dhe njësia famëkeqe RAB në Bangladesh, e njohur për ekzekutime jashtëgjyqësore.
Softuerët spiun lejojnë mbikëqyrje nga distanca të pronarëve të telefonave inteligjentë, duke përfshirë aktivizimin e fshehtë të kamerave dhe mikrofonëve, aksesin në aplikacionet e mesazheve dhe nxjerrjen e fotografive, kontakteve dhe skedarëve. Megjithatë, softuerët ushtarakë të përgjimit, të aftë për të infektuar pajisjet nga distanca, shiten vetëm me miratimin e qeverisë.
Këto teknologji janë gjithashtu jashtëzakonisht të shtrenjta, dhe dobësitë e sigurisë që ato shfrytëzojnë janë edhe më të kushtueshme, pasi zakonisht zbulohen nga ekipet e sigurisë kibernetike të Google dhe Apple.
Softueri spiun i Serbisë, të cilin studiuesit e quajtën NoviSpy, nuk ishte i varur nga dobësitë e sigurisë për të infektuar pajisjet.
Në vend të kësaj, ai instalohej në pajisjet e synuara vetëm pasi ato ishin zhbllokuar fizikisht me teknologjinë e Cellebrite. Në disa raste, duket se viktimat ishin thirrur nga policia për një intervistë si pjesë e një skeme mashtrimi për të marrë akses fizik në pajisjet e tyre.