Kompania turke publikon pamjet e testimit të sistemit për shkatërrimin e dronëve FPV: “Asnjë raketë, vetëm laserë”

Kompania turke Aselsan ka njoftuar se ka testuar me sukses sistemin e armatimit me lazer Gökberk, i cili ka për qëllim shkatërrimin e dronëve FPV, të cilët kanë përjetuar një zgjerim të madh në fushat e betejës.

Ministri i Industrisë dhe Teknologjisë së Turqisë, Mehmet Kacır, deklaroi se sistemi Gökberk do të forcojë mbrojtjen kundërajrore turke, e cila në publik shpesh përshkruhet si “Kupola e Çeliktë”.

Gökberk, i cili më herët ka dëshmuar efektivitetin e tij kundër dronëve kamikazë me krahë të lëvizshëm dhe të fiksuar, së fundmi u testua kundër dronëve FPV, një prej kërcënimeve asimetrike më të mëdha në fushëbetejë.

“Këtë herë nuk ka raketa, vetëm laserë. Kapacitetet tona prodhuese dhe teknologjike në industrinë e mbrojtjes po zhvillohen dhe po pasurohen”, deklaroi ministri.

E thjeshtë dhe shkatërruese

Kompania Aselsan komentoi gjithashtu zhvillimin e sistemit:

“Falë sistemit të dizajnuar për të funksionuar 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, Gökberk mund të operojë pa ndërprerje për periudha të gjata kohore. Sistemi, i cili krijon efektin maksimal me konsum minimal të energjisë, dallohet si një zgjidhje e përballueshme.

Gökberk do të luajë një rol kyç në mbrojtjen e objekteve fikse, si bazat ushtarake, aeroportet, termocentralet dhe rafineritë e naftës. Ai do të ketë një gamë të gjerë aplikimesh falë mundësisë së tij për lëvizshmëri përmes një platforme mobile”, njoftoi kompania.

Kategoritë
BotaLajme