“Komuniteti ndërkombëtar kurioz nëse do të zgjatet marrëveshja e drithit në Istanbul”

“Gjatë takimeve dhe bisedimeve tona me përfaqësues të tjerë të organizatave ndërkombëtare, shumë ministra të Jashtëm thanë se besojnë që Türkiye është një burim shprese për paqen”, tha Çavuşoğlu

Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se ka kuriozitet në mesin e komunitetit ndërkombëtar nëse në nëntor do të zgjatet marrëveshja historike e drithit në Istanbul, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një konference për media në Qendrën Türkevi në margjinat e takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, Çavuşoğlu tha se të gjithë “e shohin rolin që Türkiye ka luajtur në marrëveshjen e grurit” dhe homologët e tij dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare janë kuriozë nëse do të zgjatet marrëveshja katërmujore.

“Gjatë takimeve dhe bisedimeve tona me përfaqësues të tjerë të organizatave ndërkombëtare, shumë ministra të Jashtëm thanë se besojnë që Türkiye është një burim shprese për paqen (në luftën e Rusisë kundër Ukrainës)”, shtoi ai.

“Të gjithë e dinë se nëse një armëpushim do të ndodhë, ai do të ndodhë me përpjekjet e Türkiye-s”, tha kryedoplomati turk.

Ai u shpreh se Türkiye po përpiqet të “bashkojë liderët ukrainas dhe rusë” për të arritur një marrëveshje të përhershme dhe të drejtë armëpushimi.

Megjithatë, vendet në “favor të një lufte” duhet gjithashtu “të binden për paqen” sepse “të gjithë po paguajnë çmimin e kësaj lufte”, shtoi ai.

Për marrëveshjen e avionëve luftarakë F-16, Çavuşoğlu tha se Türkiye dhe SHBA po vazhdojnë bisedimet e tyre teknike.

“Presidenti ynë (Recep Tayyip Erdoğan) bisedoi me disa anëtarë të Senatit dhe Kongresit të SHBA-së dhe ata kanë përcjellë mbështetjen e tyre të fortë për dërgimin e avionëve F-16 në Turqi”, tha ai.

Duke nënvizuar se Ankaraja nuk do të pranojë një marrëveshje të kushtëzuar, Çavuşoğlu tha se një marrëveshje që kufizon një anëtar të NATO-s është e papranueshme.

Në lidhje me bisedimet për reformë të OKB-së, Çavuşoğlu tha se “vizionin ‘bota është më e madhe se pesë’, pionier i të cilit prej vitesh ka qenë presidenti turk”, është folur në OKB edhe nga udhëheqës të tjerë botërorë.

“Ne besojmë se Asambleja e Përgjithshme (OKB) dhe Këshilli i Sigurimit duhet të jenë më gjithëpërfshirës. Ka shumë formula që vijnë nga vende të ndryshme dhe të gjitha vendet duhet të përfaqësohen mirë këtu”, tha ai.

Presidenti amerikan Joe Biden në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së tha se vetoja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së duhet të përdoret vetëm “në situata të rralla, të jashtëzakonshme, për të siguruar që këshilli të mbetet i besueshëm dhe efektiv”.

Megjithatë, Türkiye “do që OKB-ja dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së të jenë më gjithëpërfshirës. Ajo dëshiron që të gjitha vendet të përfaqësohen këtu. Sigurisht, një kriter mund të përcaktohet sipas popullsisë, madhësisë dhe shpërndarjes gjeografike të secilit vend. Por nga ana tjetër duhet të hiqet edhe e drejta e vetos. Ka alternativa për këtë”, tha Çavuşoğlu.

Kategoritë
BotaLajme