Mbrojtësi i Liverpoolit, Kostas Tsimikas është konfirmuar se do të mbetet jashtë fushave për një periudhë të shkurtër për shkak të një lëndimi të kyçit të këmbës.
Reprezentuesi grek pësoi lëndim gjatë një seance stërvitore dhe për këtë arsye ai nuk do të jetë në gjendje të luajë ndaj Real Madridit të mërkurën.
Para se të lëndohej, Tsimikas ka qenë në një formë mjaft të mirë për liderin e Ligës Premier dhe është paraqitur në 11 ndeshje deri më tani këtë sezon.
Fillimi i këtij sezoni për 28-vjeçarin ka qenë i suksesshëm, pasi trajneri Arne Slot ia besoi atij fanellën e titullarit para Andy Robertson
Tsimikas nuk kishte qenë prezent në fitoren e Liverpoolit me rezultat 3-2 ndaj Southamptonit të dielën, duke iu bashkuar Trent Alexander-Arnold, Alisson, Federico Chiesa dhe Diogo Jota në listën e të lënduarve.
Slot kishte thënë javën e kaluar se nuk pret që ndonjëri prej Alisson ose Jota të jetë në dispozicion për ndeshjen ndaj Real Madridit, por Alexander-Arnold ka shpresa se mund të rikuperohet në kohë.
Pas ndeshjes me Real Madridin, Liverpooli do të ketë një ndeshje tjetër të vështirë të dielën, ku do të luajë ndaj rivalit kryesor për titull Manchester Cityt.