Konfirmohet vdekja e dy sportistëve të tjerë në zjarrin në Maqedoninë e Veriut

Dje u konfirmua se në zjarrin që shpërtheu në diskotekën “Puls” në Koçan humbi jetën futbollisti i Shkupit, Andrej Lazarov (25). Sot erdhën lajme të reja që ai nuk është i vetmi sportist që ka humbur jetën në këtë tragjedi të madhe në Maqedoninë e Veriut.

Është zbuluar se mes 59 viktimave të zjarrit në diskotekën “Puls” janë edhe dy sportistë të tjerë.

Është konfirmuar se në këtë fatkeqësi kanë humbur jetën edhe futbollisti Damjan Taneski dhe basketbollisti Petar Ivanovski.

Taneski (18) e nisi karrierën e tij në Mal Ajax të Shtipit, më pas ishte pjesë e kategorive të reja të Vardarit dhe ka luajtur për Bregalnicën dhe Kit Go nga Pehçeva.

Ivanovski (20) ishte basketbollist i KK Basket Dino, me të cilin ka fituar shumë trofe individuale dhe ekipore në kategoritë e reja të klubit.

Kujtojmë se mbi 140 persona të plagosur në zjarr janë ende në spitale, ndërsa disa prej tyre janë transferuar jashtë vendit për trajtim.

Më saktë, 44 të plagosur janë dërguar në spitale jashtë vendit: 17 në Serbi, 14 në Bullgari, 9 në Turqi dhe 4 në Greqi.

Kategoritë
Sport