Konjufca i “frikëson” bashkëpartiakët: Kundërshtarët e VV’së në 4 muajt e ardhshëm synojnë të na i gërryejnë nga 1-2 përqind
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në fjalimin e tij gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë, tha se kërkon nga bashkëpartiakët e tij një mobilizim të madh për t’iu përgjigjur kundërshtarëve politike në zgjedhjet e shkurtit.
Ai tha se këta kundërshtarë politikë e kanë një strategji të tyre – atë që Konjufca e emëroi “strategji e gërryerjes” që t’ia marrin Vetëvendosjes nga 1-2 përqind për muajt e mbetur deri në zgjedhje, raporton Gazeta Express.
“Pse unë po kërkoj prej juve një mobilizim me vullnet të çeliktë dhe shumë të fuqishëm? E kërkoj sepse po e shihni strategjinë – unë mendoj që kundërshtarët politikë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë një strategji që unë po dua ta quaj strategjia e gërryerjes. Çka i bie kjo? Kanë mbetur edhe katër muaj, për çdo muaj me mund me ia heq Lëvizjes Vetëvendosje ka 1 ose 2 përqind. Ata po mendojnë që e arrijnë mendimin e tyre. Pse kështu? Sepse atëherë krijohet një situatë politike, një gjendje e re politike e cila i vendos në pikëpyetje një arritje që unë konsideroj që ka qenë shumë e madhe e 14 shkurtit.
Konjufca tha populli i Kosovës është “inteligjent” meqë me një votë mbi 51 përqind për Lëvizjen Vetëvendosje ka hequr nga ekuacioni Listën Srpska, rrjedhimisht Beogradin.
Kryetari i Kuvendit tha për opozitën se po e kritikojnë pushtetin aktual të Vetëvendosjes për korrupsion, ndërsa vetë janë rrëzuar nga “korrupsioni i tyre”.
“Këta i ka rrëzuar korrupsioni dhe qata janë që po na folin kundër korrupsionit, qata që i ka rrëzu korrupsioni, korrupsioni i vet se thonë zullumi këputet prej trashi”.