Konjufca pret në takim presidentin në ikje të Shqipërisë, Ilir Meta

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili së bashku me bashkëpunëtorët po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë me rastin e përmbylljes së mandatit të tij.

Siç njofton Kuvendi, Konjufca dhe presidenti Meta shkëmbyen mendime për zhvillimet në rajon dhe më gjerë, ecurinë e proceseve integruese dhe domosdoshmërinë e bashkërendimit të veprimeve përballë proceseve që kanë përpara vendet tona.

“Kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje presidentit Meta për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i ka dhënë Kosovës jo vetëm si president i Shqipërisë, duke i dëshiruar suksese në angazhimet e ardhshme. Nga ana e tij, presidenti Meta e falënderoi kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe vuri në pah, siç tha, sukseset e arritura së bashku dhe nevojën e një bashkëpunimi sa më të ngushtë mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Gjithçka e lidhë Shqipërinë me Kosovën. Tërësia identitare, historia, gjuha, besimi, kultura, tradita, zakonet, interesat dhe perspektiva euroatlantike. Është e rëndësishme të bashkëpunojmë sa më shumë, t’i fuqizojmë sa më parë marrëveshjet e ndërsjella dhe të mos krijojmë debate të panevojshme”, ka theksuar presidenti Meta.

Më pas, presidenti Ilir Meta iu adresua deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në një seancë të veçantë, e cila u organizua me rastin e vizitës së tij të fundit në këtë detyrë.​

Kategoritë
LajmeRajoni