Konjufca: S’kisha pasë dëshirë me mendu që Vuçiqi mund ta çojë Kosovën në zgjedhje kur të dojë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk ka dëshirë të mendojë se presidenti serb Aleksandar Vuçiqi, mund ta çojë Kosovën në zgjedhje kur të dojë.

Këtë deklaratë e bëri Konjufca, pasi u pyet nga gazetarët nëse në Kosovë mund të ketë zgjedhje së shpejti.

“Këtu të jemi të qartë. Nëse ky ka qenë qëllimi i Serbisë dhe Vuçiqit që të shkaktojë në Kosovë zgjedhje apo destabilizim, atëherë mendoj që kjo jo vetëm që nuk është e mundshme, por besoj që edhe i gjithë spektri politik është i bashkuar në Kosovë që kjo është e palejueshme. Shpresoj të kemi edhe me opozitën një pajtueshmëri që ky do të ishte seriozisht një cenim serioz i themeleve të funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Nuk e përjashtoj që Vuçiqi, dhe Serbia e Daçiqi e ata tjerët mund të kenë qëllimë të tilla, mendoj që përball qëllimeve të tilla duhet ta kemi një konsensus kombëtar elementar të mos biem pre e këtyre përpjekjeve të cilat nuk i përjashtoj”.

Konjufca tha se dorëheqjet, bllokadat e përpjekjet për sabotim, janë të dirigjuara nga Vuçiqi dhe Serbia.

“Gjithçka që po shohim këtyre ditëve të fundit, sa i përket reagimit, bllokadave, përpjekjeve për sabotim, dorëheqje e kështu me radhë, prej deputetëve dhe kryetarëve të komunave, policisë, të gjitha janë një orkestrim në të cilin dirigjent i padiskutueshëm është Vuçiqi dhe Serbia. Këtu s’kanë fare të bëjnë me reagim spontan të popullatës serbe në Kosovë, sepse i kemi edhe serbët e komunave të tjera dhe veprimet e tyre mund t’i krahasoni”.

Tutje, i pari i Kuvendit tha se situata e sigurisë në Kosovë është nën kontroll.

“Policia është e pranishme në atë pjesë të territorit të Kosovës sipas ligjeve edhe në kufi edhe në dogana të cilat janë pikërisht pika ku hyhet në Kosovë. Tash mendoj që përpjekja e Vuçiqit e përkthyer në politikë në ditën e djeshme ka filluar për vetëm një arsye. Është të mbulojë atë që ka qenë thelbësore ditën e djeshme, që Republika e Serbisë të cilën ne nuk e njohim e ka refuzuar zyrtarisht planin franko-gjerman. Të gjitha këto Serbia po i orkestron për me filluar një  fazë të re politike në Kosovë. Refuzim i planit i cili është propozuar për normalizimin e marrëdhënieve, përpjekje për me kontrolluar situatën në një pjesë të territorit të Kosovës dhe pastaj me imponuar fakte në terren, fakte të reja në terren ndaj të cilave Kosova dorëzohet. Kjo nuk do të ndodhë. Kosova nuk dorëzohet, i realizon ligjet e veta, sundimin e ligjit, kushtetutën e vet dhe përpjekjet e Vuçiqit që me ia dhënë një tjetër drejtim procesit politik edhe të dialogut përmes barrikadimit, përmes dorëheqjeve, ju siguroj që do të dështojnë. Përpjekja e tij është të krijojë një Republikë Serbe në Republikën e Kosovës”, u shpreh Konjufca, transmeton Klankosova.tv.

Kategoritë
LajmeVendi