Kur Presidenti Donald Trump njoftoi të martën se kishte krijuar një zyrë të re në Shtëpinë e Bardhë për të “ringjallur” ndërtimin e anijeve ushtarake dhe tregtare amerikane, ai ktheu vëmendjen tek thirrjet e bëra për një kohë të gjatë për forcimin e kësaj industrie në vështirësi, që ai tha se është jetike për sigurinë kombëtare. Thirrja e tij e qartë për të ndërtuar më shumë anije “shumë shpejt” vjen në një kohë të konkurrencës strategjike në rritje me Kinën.
“Industria jonë e ndërtimit të anijeve është tkurrur në minimum tani”, tha për Zërin e Amerikës komandanti i Korpusit të Marinës, gjenerali Eric Smith në një intervistë ekskluzive në Pentagon në fund të vitit të kaluar.
Gjendja e vështirë e industrisë amerikane të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së anijeve dhe rreziqet që kjo ngre për ushtrinë, u ndanë me Zërin e Amerikës në dhjetëra intervista me zyrtarë ushtarakë dhe të industrisë amerikane disa muaj përpara njoftimit të Presidentit Trump.
Marina e Shteteve të Bashuara konsiderohet ende si më e fuqishmja në botë, por numri i anijeve të marinës ka rënë krahasuar me ato të Kinës. Shtetet e Bashkuara kanë 296 anije në flotën e tyre, ndërsa Kina këtë vit pritet të ketë më shumë se 400 anije.