Konkursi për Kryeprokuror të Shtetit, jep dorëheqje anëtari i KPK-së nga komisioni

Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Agron Beka ka dhënë dorëheqje nga Komisioni për Rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar vetë anëtari Beka, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dje kam dhënë dorëheqje të parevokueshme me shkrim, arsyet e dorëheqjes i keni në shkresën e protokolluar në arkivë të KPK-së”, ka konfirmuar Beka.

Ai nuk është deklaruar lidhur me arsyet se pse ka dhënë dorëheqje nga ky komision.

Ndryshe, Beka së bashku me zëvendës kryesuesin e KPK-së, Veton Shabanin dhe prokurorin Ardian Hajdaraj ka qenë anëtar i Komisionit për Rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.

KPK ka njoftuar se në pajtim me Rregulloren 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, Komisioni për Rishqyrtimin do të takohet nesër duke filluar nga ora 14:00 për të shqyrtuar kundërshtimet e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar lidhur me pranimin e poentimit përfundimtar nga kandidatët për kryeprokuror të shtetit, ku disa prej tyre kanë paralajmëruar se do të paraqesin kundërshtime ndaj vlerësimit të Komisionit.

Kategoritë
LajmeVendi