Për Steve Schmida, bashkëthemelues i Resonance me bazë në Vermont, një kontraktor i USAID-it për shumë vite që punon në fusha të tilla si inovacioni, tregtia dhe investimet, çështja është bërë një “ekzistenciale” pas urdhrave të ndalimit të punës.

“Ne kishim miliona dollarë në fatura për t’u paguar, të cilat ishin miratuar nga klientët tanë në qeverinë e SHBA… Ne e kuptuam shpejt se ky ishte një kërcënim serioz për biznesin tonë”, ka thënë Schmida.
Ai filloi të pushonte nga puna dhjetëra punonjës të tij pasi llogariti se rreth 90 për qind e të ardhurave të tij do të zhdukeshin.
Pasi ai të ketë mbaruar, të gjithë, përveç rreth një duzinë prej gati 100 punonjësve të tij me bazë në SHBA, do të jenë ndikuar, tha ai.
“10 ditët e fundit kanë qenë 10 ditët më të këqija të jetës sime profesionale”, tha Schmida.
Sipas Reuters, financimi për disa nga projektet e tij u dha gjatë administratës së parë të Trump.
Ndërkohë një zyrtar në një partner zbatues të USAID-it, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të frikës nga ndëshkimi, tha se kompania duhej të largonte qindra staf me bazë në SHBA dhe se qeveria e SHBA-së i detyrohej mbi 50 milionë dollarë në fatura nga nëntori dhe dhjetori.
Si zyrtari ashtu edhe Schmida thanë se mund t’u duhej të shkonin në gjykatë për bilancet e papaguara.
Sipas shkrimit të Reuters, shumë nga stafi dhe kontraktorët e USAID-it janë shprehur të tronditur se sa shpejt lëvizi administrata për të pushuar njerëzit nga puna.
Rose Zulliger, e cila punoi për Iniciativën e Presidentit për Malarien si këshilltare e lartë teknike për malarian, si kontraktore për USAID-in, ishte një prej tyre.
“Nuk është vetëm stresi personal që kam humbur punën… Është gjithashtu realiteti që shëndeti global siç e njohim ne dhe puna që bëjmë – duke shpëtuar jetë dhe gjithashtu duke mbrojtur amerikanët – është vënë në pauzë, dhe besimi dhe marrëdhëniet për të cilat kemi punuar aq shumë…”, tha Zulliger.
Në vitin fiskal 2023, Shtetet e Bashkuara shpërndanë 72 miliardë dollarë ndihmë në mbarë botën për çdo gjë, nga shëndeti i grave në zonat e konfliktit te qasja në ujë të pastër, trajtimet për HIV/AIDS, siguria e energjisë dhe puna kundër korrupsionit.
Ajo siguroi 42% të të gjithë ndihmave humanitare të gjurmuara nga Kombet e Bashkuara në 2024.
Në fund, vlerëson Reuters, financimi, më pak se 1% e buxhetit të tij total, është thelbësor në përpjekjet e Uashingtonit për të ndërtuar aleanca në mbarë botën, për të përforcuar diplomacinë e tij dhe për t’iu kundërvënë ndikimit të kundërshtarëve si Kina dhe Rusia në botën në zhvillim. /Telegrafi/