Kopertina provokuese e revistës së njohur “The Economist” ilustron më së miri këtë javë: “Makthi më i madh i Evropës”

Kopertina provokuese e revistës së njohur “The Economist”, me titullin “Makthi më i madh i Evropës”, pasqyron më së miri ngjarjet kaotike të kësaj jave. Në analizën që paralajmëron për pasojat e politikave të Trump-it, fatin e Ukrainës dhe sigurinë evropiane, jepet një kritikë e ashpër për gjendjen në kontinent.

Java që kaloi ishte më e zymta për Evropën që nga rënia e Perdes së Hekurt. Ukraina po shitet, Rusia po rehabilitohet dhe Amerika nën drejtimin e Donald Trump-it nuk mund të konsiderohet më si mbrojtëse e Evropës në rast lufte.

Pasojat për sigurinë e Evropës janë serioze, por ato ende nuk janë kuptuar nga liderët dhe qytetarët e saj. Bota e vjetër ka nevojë urgjente për një kurs të përshpejtuar për përdorimin e fuqisë së ashpër në këtë epokë të paligjshmërisë, ose do të bëhet viktimë e kaosit të ri botëror, shkruan “The Economist”.

Duke folur në Mynih javën e kaluar, nënpresidenti amerikan JD Vance dha një shembull se si atdheu i verërave të shtrenjta, arkitekturës klasike dhe përfitimeve sociale mund të poshtërohet, duke e përshkruar Evropën si dekadente dhe jodemokratike. Liderët e saj janë përjashtuar nga negociatat e paqes midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit, të cilat zyrtarisht filluan në Riad më 18 shkurt. Por kriza që po zhvillohet shkon përtej fyerjeve dhe formaliteteve diplomatike.

Trump duket i gatshëm të braktisë Ukrainën, të cilën e fajëson padrejtësisht për luftën. Ai e quajti presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky “diktator” dhe e paralajmëroi: “Bëj shpejt, përndryshe nuk do të kesh më vendin tënd.” Amerika mund t’i imponojë Ukrainës një armëpushim të paqëndrueshëm me garanci të dobëta sigurie që do të kufizojnë të drejtën e saj për t’u riaramatosur.

Rehabilitimi i Rusisë

Kjo tashmë është e keqe, por makthi më i madh i Evropës është edhe më i thellë. Trump synon të rehabilitojë presidentin rus Vladimir Putin, duke hequr dorë nga politika afatgjatë e izolimit të tij. Pa ndonjë përfitim të qartë gjeopolitik për SHBA-të, ai kërkon të rivendosë marrëdhëniet diplomatike. Së shpejti mund të mbahet një samit luksoz ku Putin do të nderohet. Në Riad, sekretari i shtetit Marco Rubio foli me entuziazëm për bashkëpunimin dhe “mundësitë historike ekonomike dhe investuese” (Trump Tower Sheshi i Kuq?).

Shantazhi i Evropës dhe afërsia me Rusinë kanë vënë në pikëpyetje përkushtimin e Amerikës ndaj mbrojtjes së NATO-s. Frika është se forcat amerikane mund të zvogëlohen ose tërhiqen, duke lënë Evropën Lindore të pambrojtur. Problemi nuk është prioriteti i Amerikës për Azinë, por fakti që nëse Evropa sulmohet nga Rusia dhe kërkon ndihmën e Amerikës, instinkti i parë i Trump-it do të jetë të pyesë: “Çfarë përfitoj unë nga kjo?”

Trump pritet të takohet javën e ardhshme me kryeministrin britanik dhe presidentin francez. Por ky takim nuk duhet parë si një negociatë strategjike: problemet lidhen me gatishmërinë e Trump-it për të shkëmbyer gjithçka. Fuqia e NATO-s bazohet në bindjen se çdo sulm ndaj një anëtari do të shkaktojë reagimin kolektiv të të tjerëve. Dyshimi në këtë garanci është shkatërrues dhe Evropa mbetet e ekspozuar.

Evropa duhet të riorganizohet

“The Economist” përshkruan realitetin me të cilin përballet Evropa: një kontinent i vjetër me borxhe të larta, rritje ekonomike të ngadaltë dhe i paaftë për t’u mbrojtur apo për të projektuar fuqi të ashpër. Rregullat globale të tregtisë, kufijve, mbrojtjes dhe teknologjisë po shpërbëhen. Nëse Rusia sulmon një nga vendet baltike apo përdor dezinformata dhe sabotazhe për destabilizimin e Evropës Lindore, çfarë do të bëjë Evropa në atë rast?

Deri tani, përgjigja ka qenë tërheqja në mbrojtje. Pas kërcënimeve nga MAGA, liderët evropianë u mblodhën me ngut në Paris më 17 shkurt, por nuk arritën të tejkalojnë ndarjet mes tyre. Tre vjet pas pushtimit rus, Evropa ende nuk ka rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtje. Ajo mbetet e ngujuar në një botëkuptim të vjetruar për traktatet multilaterale dhe vlerat e përbashkëta.

Detyra urgjente e Evropës është të mësojë sërish si të fitojë dhe përdorë fuqinë; ajo duhet të jetë e gatshme të përballet me armiqtë dhe ndonjëherë edhe me aleatët, përfshirë Amerikën, e cila do të ekzistojë edhe pas Trump-it. Evropa duhet të vlerësojë objektivisht kërcënimet dhe forcat e veta. Rusia është një makinë lufte me një arsenal të madh bërthamor, por ekonomia e saj është e mesme dhe në rënie.

Evropa mbetet gjigant ekonomik

Evropa gjithashtu duhet të kuptojë fuqitë e saj: edhe pse rritet ngadalë, ajo është ende një gjigant ekonomik me burime të mëdha talenti dhe njohurish. Këto burime mund të përdoren për të rritur ekonominë, për t’u riaramatosur dhe për të rritur ndikimin e saj global.

Çfarë duhet bërë? Në afat të shkurtër, Evropa ka nevojë për një përfaqësues unik që të negociojë me Ukrainën, Rusinë dhe Amerikën. Duhet të ashpërsojë embargon ndaj Rusisë, edhe nëse SHBA lehtëson sanksionet. Evropa duhet të përdorë 210 miliardë eurot e parave ruse të ngrira në bankat evropiane për të financuar luftën e Ukrainës ose për riarmatimin e saj.

Në afat të mesëm, Evropa duhet të ndërmarrë një mobilizim të madh të mbrojtjes. Nëse nuk mund të mbështetet te SHBA-të, duhet të ketë logjistikën, mjetet ajrore dhe sistemet e saj të mbikëqyrjes. Po ashtu, duhet të fillojë diskutimet për përdorimin e armëve bërthamore të Britanisë dhe Francës për të mbrojtur kontinentin. Kjo do të kushtojë miliarda euro dhe shpenzimet për mbrojtje duhet të arrijnë 4-5% të PBB-së, si në periudhën e Luftës së Ftohtë.

Për të financuar këtë riarmatim, Evropa duhet të bëjë një revolucion fiskal, duke marrë më shumë borxhe të përbashkëta dhe individuale dhe duke shkurtuar shpenzimet sociale. Ish-kancelarja Angela Merkel shpesh thoshte se Evropa përfaqëson 7% të popullsisë globale, 25% të PBB-së, por 50% të shpenzimeve sociale të botës. Për të nxitur rritjen, Evropa duhet të zbatojë reformat e vonuara, si unifikimi i tregut të kapitalit dhe liberalizimi i rregulloreve.

Makthi i krijuar nga Putin dhe tani nga Trump mund ta detyrojë Evropën të ndryshojë mënyrën e organizimit të saj. Obsesioni me burokracinë dhe grupimet si eurozona apo BE-ja, ngadalëson vendimmarrjen dhe u jep ndikim vendeve që dëshirojnë të sabotojnë mbrojtjen evropiane.

Kjo mund të duket e pabesueshme. NATO ka qenë aleanca më e suksesshme në botë dhe është e vështirë të imagjinohet shpërbërja e saj. Por bota ka ndryshuar. Evropa duhet ta pranojë këtë realitet para se të jetë tepër vonë, përfundon “The Economist”.

Kategoritë
BotaLajme