Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut ka kontaktuar misionet e huaja diplomatike në Seul, duke thënë se situata e sigurisë në vend “mbetet e qëndrueshme”
Protestat në Korenë e Jugut kanë vazhduar për të dytën ditë radhazi, duke i bërë thirrje presidentit Yoon Suk Yeol të japë dorëheqje pas përpjekjes së tij të dështuar për të vendosur ligjin ushtarak
Grupet qytetare, kryesisht anëtarë të Konfederatës Koreane të Sindikatave (KCTU), një nga sindikatat më të mëdha ombrellë të punëtorëve në vend, organizuan protesta në Gyeryong dhe pjesë të tjera të provincës Chungcheong Jugor për të shtyrë përpara kërkesën e tyre për dorëheqjen e presidentit Yoon, raportoi agjencia e lajmeve “Yonhap”.
Duke mbajtur pankarta me slogane “Anulimi i ligjit ushtarak të jashtëligjshëm është fitore për demokracinë” dhe “Arrestoni menjëherë kriminelin tradhtar Yoon Suk Yeol dhe bashkëpunëtorët e tij”, protestuesit u bënë thirrje njerëzve që t’u bashkohen protestave të tyre.
Tubime u mbajtën edhe në rajone të tjera, duke përfshirë Jeollan Veriore dhe provincën Gangwon. Disa protesta janë planifikuar në qytetet qendrore Cheonan dhe Daejeon më vonë gjatë ditës.
Në një konferencë për media në qytetin qendror Chungju, tetë anëtarë të këshillit lokal të lidhur me Partinë Demokratike (PD) kryesore të opozitës kërkuan që Yoon të japë dorëheqje menjëherë.
Ata thanë se shpallja e ligjit ushtarak “shkatërroi tërësisht frymën e kushtetutës”, duke e quajtur shpalljen e ligjit ushtarak “sfidë kundër popullit” dhe një akt që “shkatërron themelet e demokracisë”.
– “Vendi mbetet i sigurt”
Qeveria e Koresë së Jugut siguroi diplomatët e huaj me seli në Seul se ka pak ndikim nga përpjekja e dështuar e ligjit ushtarak dhe se situata e sigurisë në vend mbetet “e qëndrueshme”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lee Jae-woong tha sot se një letër u është dërguar misioneve dhe ambasadave të huaja për të theksuar se “themelet ekonomike të vendit mbeten të qëndrueshme, siç dëshmohet nga vlerësimet e pandryshuara të kredisë sovrane nga vlerësuesit ndërkombëtarë të vlerësimit, si “S&P” dhe se nuk ka zhvillime të pazakonta në Korenë e Veriut, ndërkohë që situata e sigurisë mbetet e qëndrueshme”.
“Meqë nuk ka asnjë ndikim në jetën e përditshme, turizmin dhe ekonominë, ne kërkuam që misionet të raportojnë në vendet e tyre që nuk ka nevojë për ndryshime në këshillat e udhëtimit për Korenë e Jugut”, shtoi ai.