Korenica: E pyeta Albinin a duhet të tërhiqem nga gara zgjedhore për shkak të postimit për Izraelin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica ka thënë se kryetari i partisë, Albin Kurti nuk ia kishte kërkuar tërheqjen nga gara për kryetar komune, kur në media ishte publikuar një reagim i tij i papërshtatshëm ndaj shtetit të Izraelit.

Korenica ka deklaruar se ishte propozim i tij që ai të tërhiqej nga gara, që ta mos e dëmtonte, siç ka thënë ai, projektin e Vetëvendosjes.

“Për herë të parë dua ta jap një informatë, kur ka dalë kjo në media dhe kur është dashur që të merren Albin Kurti, Visar Ymeri e zyrtarë të tjerë me këtë punë, mua më ka ardhur shumë keq. Jam ndje në atë pozicion që ndoshta është mirë të mos vazhdohet me kandidaturën pë të mos i bërë dëm projektit të VV-së”, ka thënë ai.

“I kam shkruar Albinit, të lutem më jep një sinjal që nëse është dakord që unë të tërhiqem, që të kemi sukses si Lëvizje Vetëvendosje, nuk ka pasur refuzim dhe kjo në të njëjtën kohë dhe kam dalë me deklartatë dhe e kam sqaruar deklaratën. E falënderoj dhe z. Kurti që nuk e ka marrë një hap radikal”, ka vazhduar Korenica në Pressing të T7.

Korenica ka thënë se në kohën që e kishte bërë reagimin, ka qenë pa ndonjë pozitë që e obligon për përgjegjësi publike.

“Atëherë nuk kam qenë deputet. Kjo ka qenë edhe në zgjedhjet e 2017, kur ka dal në pah një status i imi i para 4 viteve për ato sulmet barbare, mendoj ende, që kanë ndodhur të forcave izraelite ndaj palestinezëve.  Sikurse çdo person pa përgjegjësi publike, kam reaguar dhe kam shkruar një status të papërshtatshëm. Nuk është dashtë me shënu, e kam sqaru dhe jam tërhjekë nga ajo deklaratë. Ka qenë në afekt”, ka thënë Korenica.

Kategoritë
LajmeVendi