Kosova ashpërson sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, duke prezantuar sanksionet e reja, tha se ato janë si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë si dhe mbështetjes së Bjellorusisë në këtë agresion

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ashpërsimin e mëtutjeshëm të sanksioneve të saj të vendosura më parë ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë në raport me luftën në Ukrainë, raporton Anadolu.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës e cila u drejtua nga kryeministri Albin Kurti, kabineti qeveritar mori vendim për plotësimin e vendimit në përputhje me masat dhe sanksionet e 10-ta të Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-së.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, duke prezantuar sanksionet e reja, tha se ato janë si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë si dhe mbështetjes së Bjellorusisë në këtë agresion.

“Republika e Kosovës në fakt edhe pse nuk është e obliguar në bazë të marrëveshjeve kontraktuale që ka me BE-në, për shkak se ende nuk e gëzon statusin e shtetit kandidat të BE-së, në vazhdimësi, që nga pakoja e parë e sanksioneve i ka përditësuar dhe i ka zbatuar sanksionet e BE-së dhe ato të SHBA-së”, theksoi Gërvalla.

Ajo tha se sanksionet përfshinë eksportet e teknologjisë kritike dhe mallrave industriale; importet e asfaltit dhe gomës sintetike; sigurimin e kapacitetit të depozitimit të gazit për rusët; tranzitin përmes Rusisë, të mallrave dhe të teknologjisë së eksportuar të BE-së me përdorim të dyfishtë.

Ministrja kosovare bëri të ditur gjithashtu se BE-ja pezulloi licencat e transmetimit të “Rt Arabic” dhe “Sputnik Arabic”, kufizoi mundësinë e shtetasve rus për të mbajtur çfarëdo pozicioni në organet drejtuese të infrastrukturës kritike të BE-së, etj.

Më 8 maj Brukseli i ka propozuar shteteve anëtare të BE-së edhe rundin e 11 të sanksioneve lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, sanksione që synojnë të parandalojnë shmangien e ndëshkimeve paraprake, e gjithashtu përqendrohet tek “zbatimi i sanksioneve, efektiviteti i tyre dhe si të parandalohet shmangia e sanksioneve”.

Kategoritë
LajmeVendi