Kosova barazoi me Andorrën në kualifikimet për Euro 2024

Kosova aktualisht është në vendin e tretë në grup me 2 pikë, pas Zvicrës dhe Rumanisë të cilat kanë nga 6 pikë.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka përfunduar baraz në ndeshjen me përfaqësuesen e Andorrës me rezultat 1 me 1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndeshja, e cila i takoi Grupit I të kualifikimeve për Euro 2024, përfundoi me rezultat të barabartë edhe pse ekipi kosovar dominoi gjatë ndeshjes me sulme.

Dardanët kaluan në epërsi në fillim të pjesës së dytë, nëpërmjet Edon Zhegrovës në minutën e 59-të, me asistimin e Milot Rashicës.

Epërsia e Kosovës nuk zgjati pothuajse as dy minuta, pasi Andorra barazoi rezultatin në minutën e 61-të, pas një harkimi nga gjuajtja e lirë ku shënoi Berto Rosas me kokë nga afërsia pasi u asistua nga Albert Alverdas.

Për Kosovën, ky është barazimi i dytë në këto kualifikime, pasi luajti 1 me 1 në ndeshjen e parë javën e kaluar në Tel Aviv ndaj Izraelit.

Andorra e mori pikën e parë në këto kualifikime, pasi në ndeshjen e parë pësoi nga përfaqësuesja e Rumanisë me rezultat 2 me 0.

Kosova aktualisht është në vendin e tretë në grup me 2 pikë, pas Zvicrës dhe Rumanisë të cilat kanë nga 6 pikë.

Kategoritë
Sport