Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe arrijnë marrëveshje për njohjen e patent shoferëve

Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë arritur marrëveshjen e njohjes së ndërsjellë të patent shoferëve mes dy vendeve, marrëveshje kjo e cila do të lehtësojë punën dhe angazhimin e qytetarëve tanë në shtetet përkatëse.

Kështu bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, i cili sot u prit nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Emirateve të Bashkuara Arave, Sheikh bin Zayed Al Nahyan.

Ai tha se me Sheikh Saif bin Zayed Al Nahyan kanë biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në fushat tjera që mbulojnë ministritë.

“Ky takim shënoi arritjen e marrëveshjes së njohjes së ndërsjellë të patentshoferëve mes Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, marrëveshje kjo e cila do të lehtësojë punën dhe angazhimin e qytetarëve tanë në shtetet përkatëse.

Biseduam me Lartësinë e Tij Sheikh Saif bin Zayed Al Nahyan për mundësitë e bashkëpunimit në fushat tjera që mbulojnë Ministritë tona dhe gjej rastin ta falënderoj sërish për gatishmërinë e plotë për mbështetje ndaj Republikës së Kosovës.

Falënderoj ekipet punuese të dy shteteve tona që me përkushtim arritën ta finalizojnë Marrëveshjen e njohjes së ndërsjellë të patentshoferëve e cila u nënshkrua sot”, ka shkruar Sveçla në Facebook. /Telegrafi/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi