Kosova dhe Maqedonia e Veriut pritet të kenë rritje më të lartë ekonomike se viti paraprak në rajon

Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 3,1 për qind, ndërsa projeksioni për vitin 2023 është një rritje prej 3,7, kurse Maqedonia e Veriut gjatë vitit të kaluar kishte një rritje prej 2,1 për qind, ndërsa parashikimi për vitin 2023 është 2,4

Banka Botërore (BB) në raportin e saj të fundit mbi Perspektivat Ekonomike Globale ka bërë të ditur se një ngadalësim i ashpër dhe afatgjatë pritet t’i godasë vendet në zhvillim derisa rritja ekonomike globale për vitin 2023 do të ngadalësohet në 1,7 për qind nga 3 për qind sa është pritur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas kësaj, për dallim nga vendet e tjera të rajonit, Maqedonia e Veriut dhe Kosova pritet të kenë rritje më të lartë ekonomike se viti paraprak.

Siç njofton Banka Botërore – Zyra në Kosovë, rritja globale po ngadalësohet ndjeshëm përballë inflacionit të ngritur, interesave të larta, rënies së investimeve dhe çrregullimeve që ka shkaktuar pushtimi i Ukrainës nga Rusia, sipas raportit.

“Për shkak të kushteve ekonomike të brishta, çdo zhvillim i ri i pafavorshëm – siç është inflacioni më i lartë se sa që është pritur, ngritjet e papritura të interesave për ta frenuar atë, rishfaqja e pandemisë COVID-19 ose përshkallëzimi i tensioneve gjeopolitike – mund ta shtyjë ekonominë globale në recesion. Kjo do ta shënonte herën e parë qe më shumë se 80 vjet që dy recesione globale ndodhin brenda të njëjtës dekadë”, thuhet në njoftim.

Maqedonia e Veriut dhe Kosova pritet të kenë rritje më të lartë ekonomike se viti paraprak

Sipas të dhënave të raportit të BB-së në vitin 2022 Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 3,1 për qind, ndërsa projeksioni për vitin 2023 dhe 2024 është një rritje prej 3,7 dhe 4,2 për qind.

Vitin e kaluar Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike prej 3,5 për qind dhe parashikimet janë 2,2 për qind për këtë vit dhe 3,4 për qind për vitin e ardhshëm. Ndërkaq, Maqedonia e Veriut gjatë vitit të kaluar kishte një rritje prej 2,1 për qind, ndërsa parashikimet për vitin 2023 dhe 2024 janë 2,4 dhe 2,7 për qind

Nga vendet e tjera të rajonit, Mali i Zi ka pasur rritje prej 5,9 për qind, ndërsa projeksioni për këtë dhe vitin e ardhshëm është një rritje prej 3,4 dhe 3,1 për qind. Në Bosnje dhe Hercegovinë, rritja paraprake në vitin 2022 ishte 4 për qind, ndërsa projeksioni për vitin 2023 është rritje prej 2,5 dhe 3 për qind.

Serbia vitin e kaluar kishte një rritje prej 2,5 për qind, ndërsa parashikimet për këtë dhe vitin e ardhshëm janë rritje prej 2,3 dhe 3 për qind.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi