Sipas Ministrit Murati, objektivi kryesor për këtë bashkëpunim është përmirësimi i efiçiencës së energjisë, kushte më të mira, kursim të energjisë dhe reduktim të gazrave serë.
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka nënshkruar marrëveshje për projektin “Efiçienca e energjisë në ndërtesat publike të Kosovës”, me qëllim të kursimit të energjisë elektrike, raporton Anadolu.
Në nënshkrimin e kësaj marrëveshje morën pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Ky hap ndikon drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve për qytetarët që shfrytëzojnë shërbimet nga ky investim, nga këto ndërtesa, sepse ideja është që të bëhet një investim në rreth 400 ndërtesa publike, në mënyrë që ato të izolohen dhe të rriten masat e efiçiencës në to”, theksoi Murati.
Ministri Murati tha se kredia nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për këtë projekt është 50 milionë euro, ndërsa në total ky projekt i bashkëfinanciuar me Qeverinë e Kosovës, kap shifrën e 86 milionë eurove. Në këtë shumë përfshihet edhe një grant investimi me vlerë prej 20 milionë euro ku kontribues janë Bashkimi Evropian (BE) dhe Fondi Danez në Kosovë.
Sipas Muratit, objektivi kryesor për këtë bashkëpunim është përmirësimi i efiçiencës së energjisë, kushte më të mira, kursim të energjisë dhe reduktim të gazrave serë.