Kosova e Shqipëria mësojnë nesër kundërshtarët për kualifikimet në EURO 2024

Nesër në Frankfurt me fillim nga ora 12:00 do të bëhet hedhja e shortit për kualifikimet për Kampionatin Evropian 2024, ku merr pjesë edhe Kosova e Shqipëria.

53 ekipet kombëtare që marrin pjesë në shortin e kualifikueseve më 9 tetor 2022, janë klasifikuar nëpër 6 vazo në bazë të renditjes së përgjithshme të UEFA Nations League 2022/23, dhe do të ndahen në dhjetë grupe kualifikuese, shtatë nga të cilat me pesë skuadra (nga Grupi A deri në Grupin G) dhe tre grupe me nga gjashtë skuadra (nga Grupi H deri në Grupin J.

Ndeshjet e fazës kualifikuese do të nisin në muajin mars 2023 dhe do të përfundojnë në nëntor 2023.

Në përfundim të kualifikueseve, 10 skuadrat e renditura të parat në grupe së bashku me 10 vendet e dyta do të kualifikohen automatikisht për në fazën finale.

Tri skuadrat e tjera pjesëmarrëse do të dalin nga faza “play-off”, që do të zhvillohet në mars 2024.

Faza finale e Evropianit, ku do të marrin pjesë 24 skuadra, do të zhvillohet nga 14 qershor deri më 14 korrik 2024 në Gjermani.

Katër finalistët e UEFA Nations League e më konkretisht Holanda, Kroacia, Spanja dhe Italia, do t’i luajnë ndeshjet finale të këtij kompeticioni në qershor 2023.

Si pasojë, këto skuadra i kanë vetëm tetë ditë ndeshjesh në dispozicion për fazën e grupeve të eliminatoreve dhe duhet të pozicionohen në grupe me pesë skuadra në këtë short.

Bazuar në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s këto skuadra kombëtare nuk mund të shortohen në të njëjtin grup: Armeni/Azerbajxhan, Bjellorusi/Ukrainë, Gjibraltar/Spanjë, Kosovë/Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë/Serbi.

Disa shtete paraqesin kushte të vështira atmosferike gjatë dimrit për të luajtur futboll dhe për ta minimizuar rrezikun e ndikimit të motit në ndeshje është vendosur që maksimumi dy shtete të tilla të jenë në të njëjtin grup.

Vendet që paraqesin vështirësi gjatë dimrit janë Bjellorusia, Estonia, Ishujt Faroe, Finlanda, Islanda, Letonia, Lituania dhe Norvegjia.

Gjithashtu do të shmanget edhe përballja në grupe e disa vendeve që përfaqësojnë një distancë shumë të largët udhëtimi nga njëra-tjetra dhe një maksimum prej një çifti të tillë mund të vendosen në të njëjtin grup.

Kategoritë
LajmeRajoniSportVendi