“Kosova i ka votat e gatshme për fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës”

Zv/ministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti tha se në krahasim me vendet e tjera të rajonit, përpos Malit të Zi, pret që Kosova të anëtarësohet në afat rekord në KiE

Zëvendës/ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti ka deklaruar se Kosova i ka votat në favor të saj për të kaluar fazën e parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në tryezën “Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës: Sfidat dhe perspektiva” të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), u diskutuan sfidat dhe aspektet politike dhe juridike të Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE).

Zv/ministri Ahmeti tha se në krahasim me vendet e tjera të rajonit, përpos Malit të Zi, pret që Kosova të anëtarësohet në afat rekord në KiE, megjithatë tha se “nuk e di se kur ky proces do të përfundojë”.

Ai tha se institucionet kosovare kanë bërë lobim intensiv që nga aplikimi në KiE, veçanërisht në Strasburg dhe ambasada kosovare në këtë, përfaqësuesit e të cilës zhvilluan rreth 200 takime.

“Si rezultat i kësaj, Republika e Kosovës i ka tashmë votat e gatshme për ta kaluar fazën e parë në nivelin e ambasadorëve të komitetit të ministrave dhe këto janë edhe me konstruktivitet të disa vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, theksoi Ahmeti.

I pranishëm në këtë diskutim ishte edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i cili tha që pret që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

“Të gjithë janë të vetëdijshëm se shumica e shteteve që janë anëtare në KiE nuk i kanë dispozitat kushtetuese-ligjore më të mira se Kosova”, theksoi Tahiri duke shtuar se e gjithë fryma institucionale dhe kushtetuese në Kosovë, është multi-etnike.

Zyra Ligjore e Këshillit të Evropës në opinionin e saj për Kosovën ka sqaruar se për anëtarësimin e Kosovës në KiE nevojiten vetëm dy të tretat e votave në votimin e parë të Komitetit të Ministrave ku do të votohet nga ambasadorët dhe jo unanimitet i plotë.

Pas kësaj faze, faza e dytë për anëtarësim në KiE është kur Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës i kërkon Asamblesë Parlamentare një mendim për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Kosova zyrtarisht aplikoi për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës më 12 maj 2022.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Mundësia e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës u hap nga 16 marsi 2022 kur zyrtarisht u përjashtua nga ky institucion Federata Ruse, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë. Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës, i japin shtetit të Ballkanit Perëndimor mundësi reale për anëtarësim.

Kategoritë
LajmeVendi