Kosova me pagën më të ulët minimale në Europë, pse dështoi rritja e saj

Me gjithë rritjen e inflacionit, paga minimale në Kosovë mbetet e pandryshuar – edhe atë qysh në vitin 2011.

Vlera e kësaj page është 170 euro – sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, më e ulëta në Evropë.

E fundit është bërë këtë muaj, por anëtarët e Këshillit, që përfshijnë punëdhënës, përfaqësues të punëtorëve dhe zyrtarë të Qeverisë, thuhet se nuk janë pajtuar për shumën.

Atdhe Hykolli, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, që është pjesë e Këshillit Ekonomik Social, thotë për Radion Evropa e Lirë se në mbledhjen e fundit të Këshillit, të mbajtur më 10 mars, janë dhënë dy propozime për pagën minimale: njëri 264 euro dhe tjetri 300 euro.

Propozimet janë dhënë nga komisioni për çmime brenda Këshillit Ekonomik Social, por asnjëri nga to nuk ka kaluar. Nevojiten së paku 2/3 e votave të këshillit 15-anëtarësh që një propozim të kalojë.

“Ne nuk kemi votuar as për, as kundër. Këshilli Ekonomik Social mblidhet një herë në muaj; do të takohemi përsëri dhe do të diskutojmë përsëri rritjen e pagës minimale”, thotë Hykolli, i cili është edhe kryesues i Këshillit Ekonomik Social.

Në të kaluarën, nga sindikata e tij është thënë se paga minimale duhet të jetë jo më pak se 300 euro.

Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, në një postim në Facebook më 10 mars, ka njoftuar se propozimi për rritje të pagës minimale ka dështuar, duke thënë se ai nuk është mbështetur nga përfaqësuesit e sindikatave.

Kategoritë
Lajme