Kosova mposht Turqinë në shtëpi për kualifikime të botërorit në hendboll

Pas 5 ndeshjeve të luajtura në grupin e fazës së parë kualifikuese drejt Kampionatit Botëror, Kosova ka tani 1 fitore.

Kombëtarja e Kosovës në Hendboll ka mposhtur atë të Turqisë me rezultat 26 me 24 në kuadër të kualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror të Meshkujve 2023.

Ndeshja, e cila ishte mjaft dinamike, në pjesën më të madhe ka qenë me rezultat të ngushtë të epërsisë prej 1 ose 2 pikësh nga Turqia, e ndjekur nga Kosova.

Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi me rezultat të barabartë 13 me 13.

Por, përkushtimi më i madh në sulm i vendësve në pjesën e dytë, bëri që ata të barazojnë në fund të pjesës së dytë, për të krijuar më pas në 5 minuta të vazhdimit një epërsi prej 2 pikësh, të cilën arritën ta mbanin deri në fund.

Pas 5 ndeshjeve të luajtura në grupin e fazës së parë kualifikuese drejt Kampionatit Botëror, Kosova ka tani 1 fitore 1 barazim dhe 3 humbje.

Grupit i prin Greqia me 4 fitore, më pas ndodhet Turqia me 2 fitore e 3 humbje, e treta është Belgjika me 1 fitore, 1 barazim e 2 humbje, kurse në fund ndodhet Kosova me bilancin e lartcekur.

Më 15 janar Kosova do të luajë kundër Belgjikës në Prishtinë.

Kategoritë
Sport