Kosova në gjysmëfinale të Kampionatit Ballkanik të volejbollit në rërë

Kosova në gjysmëfinale të Kampionatit Ballkanik, tregon fuqinë e vërtetë kundër Turqisë

Ekipi i Kosovës, femrat, Dhuratë Sylejmani dhe Valmira Ramadani, kanë treguar paraqitje absolutisht inspiruese kundër dyshes impresive nga Turqia, Ocakci Müge/ Bahar Toksoy – me këtë të fundit që është ish-reprezentuese e Kombëtares së Turqisë – në Kampionatin Ballkanik të volejbollit në rërë, duke mposhtur me rezultat 2-0 (21-18, 21-18) në sete, për të siguruar gjysmëfinalen e madhe, të dielën.

Vashat kosovare ishin dominuese dhe vetmohuese në secilin aksion të ndeshjes dhe, të drejtuara nga trajneri Edon Ibrahimi, arritën suksesin e madh në Balikesir të Turqisë.

Në gjysmëfinale, dyshja “Dardane” do të ndeshet me Turqinë 1, me fillim nga ora 10:40.

Në anën tjetër, ekipi i meshkujve i përbërë nga Fatlum Hajrizi dhe Erion Bajrami, u mposht nga Moldavia me rezultat 2-0 (21-17, 21-15) në sete, për t’u përshëndetur nga kjo garë.

Federata e Volejbollit të Kosovës përgëzon ekipin e meshkujve për kompetitivitetin e treguar, teksa i uron fat dhe suksese ekipit në top formë të femrave.

Kategoritë
Sport