Kosova pajiset me gati gjysmë milioni kg fishekzjarre

Sa herë që afrohen festat e fundvitit, mjetet piroteknike bëhen më të shpeshta. Miliona euro shpenzohen për të pritur festat e fundvitit pra edhe duke djegur fishekzjarre.

Të dhënat që portali rtv21.tv ka siguruar nga Dogana e Kosovës tregojnë se vetëm për këtë vit mbi 476 mijë kilogramë mjete piroteknike kanë hyrë në Kosovë. Ndërsa, 868 mijë e 633 euro është vlera e mjeteve që kanë hyrë në Kosovë, deri më 6 dhjetor të vitit 2024.

Shqipëria dhe Kina furnizojnë kosovarët me fishekzjarre. Kina duket të jetë vendi prej të cilit Kosova importon më së shumti mjete piroteknike. 441 mijë e 909 kg, është sasia e këtyre mjeteve të importuara nga ky shtet. Ndërsa, nga Shqipëria, janë importuar 33 mijë e 760 kg mjete piroteknike, shkruan rtv21.tv.

Importi i këtyre mjeteve po shënon rritje nga viti në vit.

Derisa në vitin e kaluar, ishin importuar mbi 425 mijë kg mjete piroteknike, të dhënat për këtë vit tregojnë ndryshe. Pra sivjet janë mbi 50 mijë kg më shumë se në vitin 2023.

Kategoritë
LajmeVendi