Kosovë, 3 parti politike kanë në listat zgjedhore kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin

Sipas Burbuqe Kastratit nga Lëvizja Fol e cila prezantoi disa të dhëna nga raporti “Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë”, janë gjithsej 23 kandidatë që kanë probleme me ligjin.

Tri parti politike të cilat po garojnë në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, kanë brenda listave të tyre kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin, ka bërë të ditur një koalicion i organizatave në Kosovë, raporton Anadolu.

Koalicioni i organizatave të pavarura Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja Fol dhe Iniciativa për Progres – INPO, kanë bërë një raport lidhur me kandidatët që kanë probleme me ligjin, ku sipas këtij raporti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe koalicioni AAK-Nisma kanë kandidatë të tillë.

Sipas Burbuqe Kastratit nga Lëvizja Fol e cila prezantoi disa të dhëna nga raporti “Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë”, janë gjithsej 23 kandidatë që kanë probleme me ligjin.

Por, ajo thotë se gjithë këta kandidatët për deputetë që kanë probleme me ligjin, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk ua ndalon kandidimin për deputetë.

“Lëvizja Vetëvendosje ka gjithsej 14 kandidatë apo 12 për qind e listës së kësaj partie ka probleme me ligjin. Koalicioni AAK-Nisma me tetë kandidatë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me një kandidat. Ndërkaq, nga gjithsej 23 kandidatë që kanë probleme me ligjin, 16 prej tyre janë duke u përballur me aktakuza aktive kurse tetë të tjerë janë të dënuar për vepra penale”, theksoi Kastrati.

Hulumtuesi i Lartë në IKD, Gzim Shala, duke folur për plan-programet e partive politike sa i përket sundimit të ligjit, theksoi se partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje, e trajton drejtësinë vetëm në një faqe të programit të saj qeverisës.

Ai shtoi se aty propozohet krijimi i një Gjykate për çështje familjare, një Prokurori e Specializuar dhe një Zyre për Hetime Disiplinore, por pa ndonjë analizë të thelluar mbi nevojën dhe funksionalitetin e tyre.

Sa i përket LDK-së, Shala tha se ajo e trajton drejtësinë më gjerësisht, përfshirë vetingun, integritetin e sistemit të drejtësisë, rikthimin e pavarësisë së Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas dhe digjitalizimin e shërbimeve, por, edhe ky program nuk mbështetet në analiza të detajuara.

Shala tha se edhe programi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), thekson strategjitë kundër korrupsionit dhe reformën e sistemit gjyqësor, mirëpo, sipas tij, as ky program nuk e përmend fare Strategjinë për Sundimin e Ligjit.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi