Kosovë, Burgu i Prishtinës shndërrohet në muze

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, tha se po e shndërrojnë qendrën e paraburgimit në një aset kulturor dhe një qendër përkujtimi

Burgu i Prishtinës, i cili ishte ndërtuar në fund të viteve të 40-ta pas Luftës së Dytë Botërore, është shndërruar në muze me qëllim që të përcillen përvojat e shqiptarëve të dënuar politik nga hapja e tij deri në çlirimin e Kosovës në vitin 1999, raporton Anadolu Agency (AA).

Deri në çlirimin e vendit në vitin 1999 ky burg njihej si “Burgu i Pendesës”, për shkak se ata që u burgosnin aty nga regjimi serb synohej të lirohen të penduar nga ideja për të kërkuar republikë, vetëvendosje dhe kushtetutë për Kosovën.

Muzeu u hap me një ekspozitë të përkohshme që shfaqte vizatime të bëra nga të burgosurit, derisa vuanin dënimin në mes të katër mureve.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, tha se po e shndërrojnë qendrën e paraburgimit në një aset kulturor dhe në qendër përkujtimi.

Çeku tha se burgu, nga i cili të burgosurit nuk e dinin nëse do të dilnin jashtë të gjallë, po i hapë dyert për të mos i mbyllur më.

“Ky institucion muzeal do të rrëfejë historinë e ish-të burgosurve politikë të cilët përjetuan tortura të pa-imagjinueshme nga regjimet shtypëse e gjenocidale të ish-Jugosllavisë e Serbisë vetëm pse ishin shqiptarë dhe u angazhuan politikisht për përmbushjen e të drejtave politike të popullit të tyre, të popullit shqiptar”, theksoi Çeku.

Ai tha se këtë histori duhet rrëfyer edhe gjithë botës për të dokumentuar krimet e ish-Jugosllavisë e Serbisë karshi shqiptarëve me kërkesën e tyre për liri.

Ministri Çeku gjithashtu paralajmëroi se do të vazhdojnë me projektin e restaurimit të këtij paraburgimi duke përzgjedhur edhe stafin e përhershëm me synimin që të shndërrohet në një nga institucionet muzeale më të vizituara në vend.

Përfaqësuesi i të burgosurve dhe njëri nga ish-të burgosurit e këtij burgu, Hydajet Hyseni, tha se burgu i Prishtinës ishte ndërtuar mbi gërmadhat e një shkolle të kohës ndërsa pikërisht ky burg u kthye në shkollë diturie e pjekurie për të prangosurit atdhetarë.

Ai tha se të burgosurit e kanë provuar këtë burg “duke lënë të gjitha ëndrrat jashtë”.

“Urojmë që duke e kthyer burgun në një muze të ri edhe Prishtina jonë të ketë në vijimësi një objekt monumental në mënyrën e vet dyfish reflektues edhe shkollorë-edukativ dhe frymëzues por edhe memorial përkujtues: Falim por nuk harrojmë!”, theksoi Hyseni.

Funksionimi i këtij burgu ka përfunduar në vitin 2016, kur në Hajvali të Prishtinës, u ndërtua Burgu i ri i Prishtinës. Ai u mbyll pas një vlerësimi të organizatës ndërkombëtare “Amnesty International”, e cila në vitin 2015 theksoi se “aty nuk janë kushtet për t’u mbajtur të burgosurit”.

Përpos veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, në këtë burg janë mbajtur e malltretuar edhe atdhetarë tjerë të mëdhenj si Fazli Graiçevci, Rexhep Mala, Ukshin Hoti dhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti.

Kategoritë
LajmeVendi