Kosovë, gjithçka gati për fillimin e regjistrimit të automjeteve me targa ilegale

Ministri Sveçla ofroi mbështetjen e plotë të tij dhe të Qeverisë, më qëllim të realizimit të këtij objektivi, duke theksuar se kjo është në të mirë të të gjithë qytetarëve

Ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në prag të fillimit të regjistrimit të mjeteve nga targat ilegale në ato RKS, ka mbajtur sot takim me të gjithë koordinatorët e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) thuhet se takimi ka pasur për qëllim njoftimin për përgatitjet e fundit që është duke i bërë MPB lidhur me këtë proces, ku u theksua se tashmë gjithçka është gati për fillimin e regjistrimit të mjeteve me targa RKS.

Ministri Sveçla ofroi mbështetjen e plotë të tij dhe të Qeverisë, më qëllim të realizimit të këtij objektivi, duke theksuar se kjo është në të mirë të të gjithë qytetarëve, sepse përmirëson sigurinë në trafik, ulë numrin e veturave pa regjistrim dhe përmirëson sigurinë në përgjithësi.

Nga fundi i javës së kaluar, MPB ka filluar fushatën informuese duke njoftuar qytetarët se nga dita 1 gusht deri më 30 shtator 2022 do të fillojë procesi i regjistrimit të targave ilegale në RKS në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve. Gjatë kësaj periudhe qytetarët do të kenë mundësinë të përfitojnë nga shumë lehtësira për kthimin e automjeteve në targat e regjistrimit RKS.

Qytetarët gjatë kësaj periudhe do të kenë mundësi të shfrytëzojnë përfitime të shumta për marrjen e targave RKS, siç janë lirimi nga pagesa e detyrimeve doganore, tarifat administrative dhe shpenzimet për targa. Për automjetet me targa serbe që kanë tabela të qyteteve në Serbi, përdorimi i ngjitësve mbetet në fuqi deri më 31 tetor.

Njoftimi i ndalimit të plotë të targave ilegale serbe në Kosovë, të cilat toleroheshin në veri të Kosovës, solli protesta dhe bllokada të rrugëve në veri të Kosovës nga popullata serbe. Protestat u mbyllën me arritjen e një marrëveshjeje të përkohshme në Bruksel.

Të hënën, më 1 gusht, do të nisë zbatimi i vendimit të një muaji më parë të Qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit në lidhje me dokumentet personale serbe. Të gjithë personat që hyjnë në Kosovë me letërnjoftime të lëshuara nga Republika e Serbisë do të duhet t’i zëvendësojnë ato me një fletë deklarate, e cila do të jetë dokumenti i tyre personal gjatë qëndrimit në Kosovë. Të njëjtin parim para 11 vitesh e ka zbatuar edhe Beogradi zyrtar për qytetarët e Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi