Kosovë, hapet Panairi i Librit “Prishtina 2024”

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli tha se në Panair marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora dhe do të prezantohen rreth 2.000 tituj të rinj.

Me një ceremoni solemne në Pallatin e Rinisë është hapur sot edicioni i 24-të i Panairit të Librit “Prishtina 2024”, raporton Anadolu.

Panairi i këtij viti mbahet me moton “Përgjigjja është libri”. Organizator është Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, në hapje tha se në Panair marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora dhe do të prezantohen rreth 2.000 tituj të rinj.

“Më së shumti falënderoj botuesit. Këta janë njerëz që punojnë për të formuar njerëzit, për të formuar shoqërinë. Të nderuar lexues, dëshiroj që ky Panair të jetë një test për ju, ashtu si edhe për ne. Duke vizituar Panairin dhe duke ndjekur librat kontribuoni për një shoqëri më të hapur dhe më të shëndetshme”, tha Zeneli.

Ai shprehu pritshmërinë që për pesë ditë Panairin ta vizitojnë rreth 40 mijë vizitorë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, u shpreh i kënaqur me praninë e një numri kaq të madh të botuesve të librave dhe titujve të rinj.

“Përshëndes angazhimin e Shoqatës, Edonit dhe gjithë ekipit, i cili me gjithë sfidat mbetet me shumë përkushtim pranë lexuesve dhe vazhdon të kontribuojë në promovimin e dijes në vendin tonë. Sigurisht që është e pashmangshme që institucionet të jenë të aksesueshme për botuesit, autorët, që ky mision i përbashkët të ecë përpara”, tha Çeku.

Mysafir nderi i këtij panairi është shkrimtari francez Erik Feye, i cili përshëndeti të pranishmit dhe tha se shqiptarët i ka njohur përmes profesionit të gazetarisë, por edhe përmes shkrimtarëve shqiptarë Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja.

Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, e përshëndeti moton e panairit “Përgjigjja është libri” dhe shtoi se me rëndësi është edhe se cilat libra i lexojmë.

Në kuadër të panairit do të zhvillohen mbi 40 aktivitete, promovime dhe diskutime me autorë, botues, përkthyes dhe shitës librash. Panairi zgjat nga data 5 deri më 9 qershor.

Kategoritë
Kulturë