Kosovë, i riu turk tërheq vëmendje me instrumentin e tij muzikor “handpan”

“Fëmijët kanë treguar shumë interes që nga momenti që kam ardhur në Kosovë. Ka pasur reagime pozitive të njerëzve dhe në asnjë mënyrë nuk kam marrë reagime negative dhe jam falënderues për këtë”, tha Gezmen.

Melih Gezmen, muzikanti i rrugës në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, tërheq vëmendjen e popullit dhe turistëve me instrumentin e tij të quajtur “handpan”.

I riu 29-vjeçar Gezmen në një prononcim për Anadolu Agency (AA) foli për objektivat e tij dhe reagimet që ka marrë nga populli i Kosovës lidhur me instrumentin e tij që njihet pak.

Gezmen tha se handpan është shpikur rreth 20 vjet më parë në Zvicër dhe përdoret kryesisht për muzikë meditimi dhe se ai ndihmon në shërimin e njerëzve. “Luaj një instrument që quhet Handpan, është një instrument meditimi dhe magjia e instrumentit që luaj prek direkt shpirtin. Kam këngë në të gjitha platformat dixhitale dhe shpresoj që të bëj edhe më shumë këngë dhe të xhiroj më shumë klipe”, tha Gezmen.

Duke bërë të ditur se luan këtë instrument për më shumë se 18 muaj, Gezmen tha:

“Kam filluar të luaj vet, kam mësuar vet dhe ka filluar të më bëjë mirë për boshllëkun e barkut dhe stomakun. E kam ndier veten shumë më mirë në aspektin fizik dhe shpirtëror. Edhe njerëzve ka filluar t’i bëjë më mirë. Luaj në kampet e jogas dhe meditimeve, luaj me DJ. Vazhdoj të luaj duke bashkuar me instrumente të ndryshëm dhe nuk e di nëse është provuar apo jo më parë por do të përpiqem që ta kaloj edhe në muzikën mistike këtë instrument”.

Gezmen bëri të ditur se ndaj muzikës që luan tregon interes populli i Kosovës dhe kryesisht fëmijët dhe se pret mbështetje që të bëjë këngë të reja duke shoqëruar edhe me muzikën e Ballkanit.

Pasi theksoi se nga reagimet e njerëzve ka kuptuar që është personi i parë që ka sjellë në Kosovë këtë instrument, Gezmen shtoi se “Kur e panë për herë të parë në Prishtinë, në Kosovë ishin shumë kureshtarë se çfarë ishte dhe çfarë lloj instrumenti është. Paskam qenë unë i pari që kam sjellë në Kosovë këtë instrument. Kjo për mua është një krenari e veçantë”.

Ai vuri në dukje se pas reagimeve pozitive që ka marrë në Kosovë ku ndodhet prej një muaji i ka kushtuar popullit të Kosovës një këngë.

“Fëmijët kanë treguar shumë interes që nga momenti që kam ardhur në Kosovë. Ka pasur reagime pozitive të njerëzve dhe në asnjë mënyrë nuk kam marrë reagime negative dhe jam falënderues për këtë. Pas ardhjes time këtu kam marrë ftesa nga kanalet lokale, kombëtare si dhe kam marrë pjesë në transmetimet direkte në radio dhe televizione. Kam marrë reagime shumë të mira, një interes shumë i bukur dhe me kanë respektuar këtu”, tha Gezmen.

I nisur nga qyteti Antakya në Türkiye, Gezmen pas turneut në Ballkan synon që instrumentin dhe muzikën e tij ta prezantojë duke shëtitur në Evropë dhe në kontinente të ndryshme.

 

Kategoritë
Kulturë