Kosovë, inaugurohet programi për shpërndarjen e hurmave, donacion nga Arabia Saudite

“Kosova ka nevojë për marrëdhënie dypalëshe me gjithë botën posaçërisht me vendet muslimane dhe arabe dhe akoma nuk e kuptojmë se si disa shtete islame nuk e kanë njohur ende shtetin tonë”, theksoi Tërnava.

Me pjesëmarrjen e Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, përfaqësuesit të Qendrës së Mbretit Salman nga Mbretëria e Arabisë Saudite, Raed Ahmed Alwehaibi, si dhe ambasadorit të Arabisë Saudite në Tiranë, Feisal Hefzi, u inaugurua në Prishtinë programi për shpërndarjen e 25 tonë hurmave në Kosovë, transmeton Anadolu.

Myftiu Tërnava falënderoi Raed Ahmed Alwehaibi për pjesëmarrjen e tij në këtë inaugurim, e me këtë rast shprehu falënderime edhe për shtetin e Arabisë Saudite për ndihmat e vazhdueshme që i ka dhënë popullit të Kosovës para, gjatë dhe pas luftës.

Myftiu Tërnava shprehu gatishmërinë e institucionit të BIK-ut që të vazhdojë edhe më tej bashkëpunimi i mirë ndërmjet BIK-ut dhe Ambasadës së Arabisë Saudite, derisa theksoi se BIK-u është mirënjohëse për ata se çfarë ka bërë, por edhe në atë se çfarë është duke bërë ky shtet si në ndihma humanitare, ashtu edhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Kosova ka nevojë për marrëdhënie dypalëshe me gjithë botën posaçërisht me vendet muslimane dhe arabe dhe akoma nuk e kuptojmë se si disa shtete islame nuk e kanë njohur ende shtetin tonë, mirëpo Arabia Saudite është një ndër shtetet e para që ka njohur Pavarësinë e Kosovës dhe gjithashtu e ka shtrirë dorën e ndihmës dhe bashkëpunimit në çdo vend e gjithashtu edhe në vendin tonë”, theksoi Tërnava.

Nga ana e tij, ambasadori Feisal Hevzi, tha se sot janë në Kosovë për të inauguruar projektin e radhës për shpërndarjen e 25 tonë hurmave nga Arabia Saudite.

“Kosova është një vend mik i Arabisë Saudite dhe kjo dëshmon edhe për nivelin e raporteve të mira që kemi ndërmjet vete. Ne këtë program e kemi zhvilluar dhe po e zhvillojmë në disa vende të botës, përfshirë këtu edhe Kosovën, për çka ne jemi tejet të lumtur”, tha ambasadori Hevzi.

Qendra e Mbretit Salman muaj më parë dhuroi mbi 2 mijë pako ushqimore për rastet nevojtare në Kosovë.

Kategoritë
LajmeVendi