Kosovë, KFOR-i Turk hap bibliotekë për nxënësit e një shkolle fillore

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Forcat e Armatosura Turke, të cilat gjithmonë bëjnë çmos për të forcuar vëllazërinë mes Türkiyes dhe Kosovës”, tha ambasadori turk Sabri Tunç Angılı

Delegacioni Përfaqësues i Türkiyes që shërben në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR-i Turk) ka hapur një bibliotekë në objektin e shkollës fillore “Kelmend Rizvanolli”, në qytetin e Gjakovës, raporton Anadolu.

Në ceremoninë e hapjes së bibliotekës morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Prishtinë Sabri Tunç Angılı, Konsulli i Përgjithshëm i Prizrenit Celal Doğan, kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, kryetari i delegacionit të KFOR-it Turk, kolonel Zafer Sağlam, si dhe përfaqësues të institucioneve turke që punojnë në Kosovë, mësimdhënës dhe nxënës.

Në fjalën e tij këtu, ambasadori Angılı tha se fëmijët e pranishëm në ceremoni do të kontribuojnë në ndërtimin e një Kosove më të fortë kur të rriten.

Ambasadori tha se Türkiye ka qëndruar gjithmonë pranë Kosovës.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Forcat e Armatosura Turke, të cilat gjithmonë bëjnë çmos për të forcuar vëllazërinë mes Türkiyes dhe Kosovës dhe janë në ballë, për zbatimin e këtij projekti të bukur”, tha ai.

– “Do të vazhdojmë ta mbështesim popullin mik dhe vëlla të Kosovës në fushat që ata kanë nevojë”

Kryetari Gjini para të pranishmëve deklaroi se Kosova ka marrë mbështetjen e Türkiyes në fusha të ndryshme për vite me radhë, që nga periudha e luftës.

“Kosova kishte nevojë për këtë mbështetje dhe miqtë si ju na qëndruan pranë në kohët tona më të vështira. Faleminderit shumë edhe një herë për këtë”, tha ai.

Koloneli Sağlam theksoi rëndësinë e bibliotekës së krijuar duke theksuar se ajo kontribuon në edukimin e popullit të Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim popullin mik dhe vëlla të Kosovës në fushat që ata kanë nevojë, veçanërisht në çështjet e arsimit dhe shëndetësisë, me aq sa mundemi”, tha ai.

Pas fjalimeve, të ftuarit prenë shiritin me rastin e hapjes së bibliotekës së shkollës fillore “Kelmend Rizvanolli” duke e parë nga afër atë.

Kategoritë
BotaLajme