Kosovë, kryeparlamentari Konjufca priti në takim presidentin malazez Gjukanoviq

Gjukanoviq e falënderoi kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe konfirmoi mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët e tij ka pritur në takim presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq me bashkëpunëtorë, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra për Informim e Kryetarit të Kuvendit, në këtë takim u diskutua për aktualitetin politik, zhvillimet në rajon, agresionin rus në Ukrainë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe shtimin e intensitetit të aktiviteteve ndërparlamentare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Kryeparlamentari Konjufca shprehu mirënjohje për mbështetjen e presidentit Gjukanoviq dhe Malit të Zi ndaj Kosovës, derisa theksoi se forcimi i mëtejmë i raporteve të ndërsjella fqinjësore është një kontribut shtesë për stabilitetin në Ballkan dhe perspektivën e përbashkët euroatlantike.

Me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë, presidenti Gjukanoviq e falënderoi kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe konfirmoi mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Ai po ashtu shprehu domosdoshmërinë e integrimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Konjufca dhe Gjukanoviq i vlerësuan të shkëlqyera marrëdhëniet ndërshtetërore dhe shprehën përkushtimin për avancimin e bashkëpunimit me interes për të dyja shtetet.

Më herët, presidenti Gjukanoviq u prit edhe nga homologia e tij kosovare Vjosa Osmani, ndërsa pas takimit me Konjufcën ai pritet që nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ta marrë çmimin “Çelësi i Qytetit”.

Kategoritë
LajmeVendi