Kosovë, lansohet për herë të parë në Ballkan platformë për rehabilitimin online të kryesve të veprave të dhunshme

Kjo platformë sipas autorëve ka lindur si nevojë në rritjen e sigurisë në familje, veçanërisht për fëmijët

Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime (SIT) në Kosovë ka lansuar platformën e parë online në rajon për shërbime për rehabilitimin e kryesve të veprave të dhunës në familje dhe asaj në baza gjinore “Sit and Talk” (Ulu dhe shprehu), raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo është platforma e parë e tillë në Ballkan, e cila sipas autorëve ka lindur si nevojë në rritjen e sigurisë në familje, veçanërisht për fëmijët.

Kadri Gashi, nga SIT, thotë se ky shërbim i cili u mbështet edhe nga Qeveria e Kosovës, është për viktimat e dhunës por edhe për burrat dhe djemtë të cilët kanë ushtruar dhunë apo kanë tendencë për një gjë të tillë.

“Ky shërim ofrohet si terapi rehabilituese ku nëpërmjet teknikave të ndërhyrjes bëhet reduktimi i sjelljeve të dhunshme dhe zëvendësimi i tyre me sjellje të reja pa dhunë”, tha Gashi.

Ai shtoi se përfituesit kryesorë të kësaj platformë online do të jenë personat që kërkojnë këshilla individuale dhe në grup, të cilët kanë nevojë për parandalimin e dhunës me rehabilitim dhe integrim.

Ky projekt, sipas kryeshefes ekzekutive të Agjencisë për Barazi Gjinore nga Zyra e Kryeministrit, Edi Gusia, e afron Kosovën me Konventën e Stambollit si pjesë e Kushtetutës së Kosovës nga vitit 2019.

Gusia thotë se në Kosovë ka shifra alarmante të përdorimit të dhunës fizike dhe kjo platofrmë është instrument i rëndësishëm dhe mundësi e mirë që të gjithë ata që kanë tendencë të jenë të dhunshëm të trajtohen.

“Fatkeqësisht kemi qenë ndër vite dhe jemi ende në shifra alarmante jo vetëm të dhunës ndaj grave por edhe humbjes së jetëve. Dhe kjo platformë këshillimi dhe parandalimi për djem dhe burra besoj që është një instrument i rëndësishëm, një mundësi shumë e mirë që të gjithë ata djem dhe burra që ballafaqohen me çështje të zemërimit, që kanë tendencë të jenë të dhunshëm, të drejtohen, ta kërkojë ndihmën, të trajtohen”, tha Gusia.

Më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Kundër Grave në Kosovë ka filluar fushatë kundër dhunës ndaj grave – një nismë prej 16 ditësh aktivizmi që do të përfundojë në ditën që shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, më 10 dhjetor.

Kategoritë
LajmeVendi