Kosovë, mbahet ceremonia e diplomimit për maturantët e Shkollave Maarif

“Shkollat Maarif në Kosovë kanë arritur sukses të rëndësishëm në një kohë shumë të shkurtër me infrastrukturën fizike, sistemin arsimor, kuadrin e dalluar të mësimdhënësve dhe aktivitetet akademike”, tha ambasadori Sakar.

Në Prishtinë të shtunën u organizua ceremonia e diplomimit për vitin shkollor 2021-2022 të maturantëve të Shkollave Ndërkombëtare Maarif të Kosovës, që veprojnë në kuadër të Fondacionit Maarif të Turqisë (TMV), raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e mbajtur në një hotel në Prishtinë morën pjesë Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, Drejtori i Përgjithshëm i TMV Kosovë, Oğuz Hamza Yılmaz, drejtori i shkollës në Prishtinë, Zafer Çınar, koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Cihan Dinçer, mësues, nxënës dhe familjet e tyre.

Duke mbajtur fjalën e hapjes së manifestimit, i cili filloi me intonimin e himneve kombëtare të dy vendeve, ambasadori Sakar u shpreh se ka besim se “fidanët e diplomuar do të kthehen në një pyll të madh dhe të bukur” që do ta bëjnë atdheun e tyre Kosovën krenare në të ardhmen.

“Shkollat Maarif në Kosovë kanë arritur sukses të rëndësishëm në një kohë shumë të shkurtër me infrastrukturën fizike, sistemin arsimor, kuadrin e dalluar të mësimdhënësve dhe aktivitetet akademike”, tha Sakar.

“Shkollat ​​tona, me mbajtjen e provimeve të studentëve të huaj të organizuar nga universitetet më të rëndësishme të Turqisë, kanë kontribuar që të rinjtë tanë nga Kosova të kenë mundësinë të vazhdojnë shkollimin në universitetet më të mira të Turqisë”, shtoi ambasadori.

Drejtoi i Përgjithshëm Yılmaz tha gjithashtu se Fondacioni Maarif po ec drejt qëllimit për t’u bërë një markë globale arsimore.

Drejtori i shkollës në Prishtinë, Çınar, nga ana tjetër, tha se maturantët do ta avancojnë edhe më tej vëllazërinë mes Kosovës dhe Turqisë.

Pas fjalimeve, nxënësve iu dhanë certifikata të arritjeve nga drejtoria e shkollës dhe emrat e nxënësve më të mirë u gdhendën në pemën tradicionale Maarif.

Ceremonia u mbyll me një koncert muzikor të nxënësve dhe ceremoninë e diplomave.

Kategoritë
LajmeVendi