Kosovë, mbahet fushata “Art për Shpresë” me qëllim ndihmën e të prekurve nga tërmetet në Turqi

Veprat e artit u prezantuan para biznesmenëve filantropë që punojnë në Kosovë me qëllim të shitjes së tyre dhe më pas të ardhurat nga shitjet t’u shpërndahen familjeve në nevojë të prekura nga tërmetet.

Rreth 40 artistë me më shumë se 40 punime kanë marrë pjesë në fushatën e donacioneve “Art për Shpresë”, e cila ka për qëllim të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve të jetesës së qytetarëve të prekur nga tërmetet në Kahramanmaraş të Türkiyes, raporton Anadolu.

Veprat e artit u prezantuan para biznesmenëve filantropë që punojnë në Kosovë me qëllim të shitjes së tyre dhe më pas të ardhurat nga shitjet t’u shpërndahen familjeve në nevojë të prekura nga tërmetet nëpërmjet institucioneve turke si AFAD apo Gjysmëhëna e Kuqe Turke (Kızılay).

Çmimi minimal për një vepër arti, e cila shitet nëpërmjet Institutit “Yunus Emre”, është vënë 1 mijë euro.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po ashtu ishte e pranishme në këtë ngjarje, tha se aktiviteti i fushatës “Art për Shpresë” është një përpjekje që “sado pak t’u dalim në ndihmë miqve tanë në Türkiye dhe gjithë njerëzve të pastrehë të prekur nga tërmeti”.

Osmani, e cila ftoi vullnetmirët t’i blejnë këto vepra, tha se secili qytetar i Kosovës ndanë dhimbjen me të prekurit e tërmetit. Ajo shtoi se do të bëjnë çfarëdo që munden t’u dalin në ndihmë për t’ua lehtësuar dhimbjen.

“Populli ynë, populli i Kosovës, e ka traditë që gjithnjë t’i qëndroj pranë njëri-tjetrit. Solidaritetin e kemi kultivuar në vazhdimësi, ashtu siç i jemi gjetur pranë edhe shtetit turk në muajin shkurt pas tërmetit shkatërrues, e sërish jemi edhe sonte këtu për ta demonstruar shpirtin human për qytetarët turq që kanë nevojë edhe më tej për ndihmën dhe përkrahjen tonë”, theksoi Osmani.

Ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, tha se artistët të cilët kontribuan me veprat e tyre, të cilat pas shitjes do të kontribuojnë për familjet e prekura nga tërmetet, treguan se “shpresa është ajo e cila sa mbahet po aq shtohet”.

“Me rastin e këtij termeti, e pam që nuk është vetëm populli turk ai i cili u ngrit në këmbë për t’i ndihmuar të mbijetuarit, por nga të katër anët njerëzit erdhën për të ndihmuar. Në këtë kuptim përkrahja që ne morëm nga të tjerët me rastin e këtij tërmeti na tregoi se kemi vepruar me vend kur u kemi ndihmuar të tjerëve dhe kjo ka kuptim të thellë për ne”, tha Angılı, duke falënderuar gjithë pjesëmarrësit e fushatës “Art për Shpresë”.

Fushata “Art për Shpresë” u organizua nga Instituti “Yunus Emre”. Shitjet do të verifikohen me faturë zyrtare, ndërsa të ardhurat do t’u shpërndahen atyre në nevojë përmes institucioneve relevante si AFAD dhe Kızılay.

Të gjitha veprat kanë pasur kushtë që të punohen me bojë vaji, laps grafiti ose me bojë akrilike me një madhësi të pikturës prej të paktën 50cmx70cm.

Kategoritë
KulturëLajmeVendi