Kosovë, mbahet premiera e shfaqjes teatrore “15 korriku dhe njeriu”

Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar në një fjalim të mbajtur në ceremoni tha se FETO përbën një kërcënim serioz për të gjitha vendet ku ajo është e pranishme

Me rastin e 15 Korrikut – Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar në Prishtinë u mbajt premiera e shfaqjes teatrore “15 korriku dhe njeriu”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në shfaqjen e organizuar nga teatri “Art Theatre” i Prizrenit në skenën “AAB Faruk Begolli” morën pjesë ambasadori i Türkiye-s (Turqisë) në Prishtinë, Çağrı Sakar, ministri i Zhvillimit Rajonal i Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, deputetët Fidan Brina Jılta dhe Enis Kervan, koordinatori i Institutit Yunues Emre në Kosovë, Mehmet Ülker dhe shumë të ftuar të tjerë.

Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar në një fjalim të mbajtur në ceremoni tha se FETO përbën një kërcënim serioz për të gjitha vendet ku ajo është e pranishme.

Ai paralajmëroi se FETO mund të përsërisë edhe në vende të tjera ato që ka bërë në Türkiye. “Ne mirëpresim ndjeshmërinë që bashkatdhetarët tanë treguan ndaj atyre që u përjetuan në natën e 15 korrikut. Ndërkohë që vendi ynë ashtu si në vitet e kaluara vazhdon me vendosmëri luftën kundër FETO-s, unë nuk kam dyshim se edhe bashkatdhetarët tanë së bashku me miqtë tanë kosovarë do të vazhdojnë të informojnë për fytyrën e vërtetë të FETO-s dhe që të bëjnë paralajmërime që Kosova të mos bëhet një vend i sigurt për këto terroristë”, deklaroi Sakar.

Ministri Damka vuri në dukje se si komunitet turk i Kosovës do të vazhdojnë me vendosmëri luftën kundër organizatës terroriste FETO. “Detyra jonë këtu është të mbajmë një qëndrim të vendosur kundër këtyre separatistëve që u janë errësuar sytë. Ashtu si gjithmonë ne i qëndrojmë pranë vendit tonë amë, drejtuesve të shtetit dhe do të ofrojmë mbështetjen tonë me të gjithë forcën që kemi në këtë kauzë”, tha Damka.

Pas shfaqjes së organizuar me mbështetjen e Ambasadës së Türkiye-s në Prishtinë dhe Institutit Yunus Emre, Shoqata e Grave “Orkide” në përkujtim të “Dëshmorëve të Demokracisë së 15 Korrikut” lëshoi në qiell 251 balona dhe shpërndau hallvë për të ftuarit.

Kategoritë
LajmeVendi