Kosovë, me rastin e shënimit të Ditës së Evropës zbulohet murali i Energjinë së Mirë

Szunyog tha se lufta në Ukrainë nuk prek vetëm atë vend që u sulmua nga Rusia, por edhe të gjithë Evropën nga aspekti i sigurisë dhe politikës, si dhe nga aspekti i sigurisë energjetike dhe ushqimore

Me rastin e 9 majit – Ditës së Evropës, ambasadori i Bashkimit Evropian (BE), në Kosovë, Tomas Szunyog, së bashku me ministren e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, zbuluan muralin e Energjisë së Mirë, të pikturuar në murin anësor të ndërtesës së BE-së në Kosovë, raporton Anadolu.

Me këtë rast, ambasadori Szunyog deklaroi se BE është një projekt paqendërtues dhe se të gjithë janë të shqetësuar se Evropa po përjeton një periudhë lufte.

Szunyog tha se lufta në Ukrainë nuk prek vetëm atë vend që u sulmua nga Rusia, por edhe të gjithë Evropën nga aspekti i sigurisë dhe politikës, si dhe nga aspekti i sigurisë energjetike dhe ushqimore.

“Ne kemi një sërë pasojash negative nga ajo luftë dhe njëra prej tyre është rritja e çmimit të energjisë në Evropë. Kjo është arsyeja pse ne jemi të fokusuar në ndihmën në çështjen e energjisë, në kursimin e energjisë dhe në kalimin e energjisë së gjelbër dhe të sigurt”, tha Szunyog.

Ai theksoi se është i kënaqur që Zyra e BE-së në Kosovë bashkë me Qeverinë finalizoi pakon e mbështetjes energjetike dhe po vazhdon me projekte të tjera për arritjen e agjendës së gjelbër.

“Kam kënaqësinë të përmend se kemi përfunduar edhe çështjen e liberalizimit të vizave, që do të thotë se kosovarët do të mund të udhëtojnë në vendet e zonës Schengen nga 1 janari 2024. Ky është një nga sukseset e shënuara. Ky vit është viti i progresit në dialog, u arrit Marrëveshja e Ohrit dhe shpresojmë që ajo të zbatohet sa më shpejt”, tha tutje ambasadori.

Ministrja Rizvanolli tha se ishte e kënaqur që bashkë me ambasadorin Szuyog zbuluan muralin që simbolizon të ardhmen evropiane dhe energjetike të Kosovës.

“Në këtë ditë kur festojmë Ditën e Evropës, vlen të theksohet se Bashkimi Evropian, ka treguar unitet në lidhje me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, i cili pasqyron plotësisht vlerat mbi të cilat është ndërtuar, përfshirë paqen, demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, tha Rizvanolli.

Ajo theksoi se Kosova i ndanë plotësisht këto vlera dhe të ardhmen e saj e sheh vetëm në BE.

“Vitet e fundit kemi arritur shumë suksese në këtë drejtim, duke përfshirë përfundimin e liberalizimit të vizave, fillimin e procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe progresin në të gjitha fushat e axhendës së reformave evropiane. Jemi të përkushtuar që ato të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, tha ministrja Rizvanolli.

Ministrja kosovare përmendi rolin kyç të Bashkimit Evropian jo vetëm në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe në procesin e ndërtimit të shtetit.

Rizvanolli vuri në dukje se BE-ja është një partner kyç për Kosovën në forcimin e sektorit energjetik, duke theksuar projektet e fundit të financuara nga BE-ja, si ndërtimi ngrohtores së parë me biomasë në Gjakovë në vlerë prej mbi 15 milionë eurove dhe mbështetjen për projektin e ngrohjes solare në Prishtinë, derisa shtoi se Kosova vitin e kaluar ka marrë 75 milionë euro nga BE-ja për t’u përballur me krizën energjetike.

Kategoritë
LajmeVendi