Kosovë, nuk miratohet projektligji për caktimin e çmimeve tavan për produktet themelore

Produkte themelore janë përcaktuar drithërat, mielli, gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mish i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie

Qeveria e Kosovës nuk ka arritur që ta kalojë në shqyrtim të parë Projektligjin me të cilin vendosen çmimet tavan për produktet themelore për shkak të mungesës së kuorumit, raporton Anadolu Agency (AA).

Partitë opozitare e kanë kundërshtuar Projektligjin i cili u është shpalosur atyre dhe për të cilin Qeveria ka bërë thirrje që të votohet.

57 deputetë votuan pro këtij projektligji, megjithëse të pranishëm, me deputetët e opozitës ishin gjithsej 70 deputetë, por opozitarët nuk u përfshinë në votim.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, e cila e ka prezantuar këtë projektligj, ka thënë se ligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta zbatohet ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë produktet themelore.

Hajdari tha se Projektligji ka për qëllim eliminimin e rritjes së çmimeve në rast të mungesës së produkteve, kryesisht atyre produkteve themelore në treg.

Në këtë projektligj produktet themelore janë përcaktuar drithërat, mielli, gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mish i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie.

“Është vlerësuar se mungon bazë ligjore që kontrollon marzhën tregtare të produkteve esenciale në situate të destabilizimit në treg”, theksoi Hajdari, e cila shtoi se vendet e rajonit tashmë kanë miratuar ligje që përcaktojnë çmimet tavan për shitjen e produkteve themelore.

Deputeti Ferat Shala në emër të PDK-së, tha se partia e tij nuk e mbështet Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore, në formën siç u është paraqitur.

Shala tha se ky Projektligj është i dëmshëm për ekonominë, konsumatorët dhe operatorët.

“Pajtohem 100 për qind që ideja duhet të zhvillohet në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit, në drejtim të mbrojtjes së produkteve esenciale, në drejtim të ruajtjes së stabilitetit të tregut. Por, kjo ide që është e shkruar në draft-ligj nuk pasqyron atë që u tha dhe që duhet të jetë në mënyrën më të mirë. Prandaj, në këtë situatë që është me këtë draft-ligj, PDK nuk mund ta mbështetë kështu”, theksoi Shala.

Kundër këtij projektligji ka dalë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë se me Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore, po bëhen shkelje kushtetuese.

Bajrami ka thënë se si vend, Kosova edhe me Kushtetutën e saj e ka përqafuar idenë e tregut të lirë dhe se ligjet duhet të jenë në pajtueshmëri të plotë me kushtetutën derisa “ky ligj nuk është në pajtim me kushtetutën”.

“Me vendosjen e çmimit maksimal të lejuar, me çmim për të gjithë operatorët, ju e vrani konkurrencën, e cila është elementi esencial i ekonomisë së tregut”, theksoi Bajrami.

Sipas saj, vendosja e çmimeve tavan për produktet i çon drejt falimentimit shitoret e vogla të fshatrave dhe periferive të cilët operojnë me kosto më të mëdha se sa dyqanet e mëdha.

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit u shty për të hënën e javës së ardhshme.

Kategoritë
LajmeVendi