Kosovë, organizohet pritje solemne me rastin e 29 Tetorit, Ditës së Republikës së Turqisë

Ambasadori i Türkiye-s në Prishtinë, Çağrı Sakar, theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Türkiye-s po përmirësohen çdo ditë e më shumë.

Në kryeqytetin e Kosovës është mbajtur një pritje solemne me rastin e 99-vjetorit të themelimit të Republikës së Türkiye-s dhe 29 Tetorit, Ditës së Republikës së Türkiye-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë ngjarje të pranishëm ishin presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ambasadori i Türkiye-s në Prishtinë, Çağrı Sakar, ministri i Zhvillimit Rajonal i Kosovës dhe njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) Fikrim Damka, si dhe ministra, deputetë, kryetarë komunash, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të institucioneve turke dhe shumë mysafirë tjerë që përfaqësonin turqit e Kosovës.

Ambasadori Sakar, i cili e nisi fjalën e tij duke lexuar mesazhin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan për 29 Tetorin, Ditën e Republikës së Türkiye-s, theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Türkiye-s po përmirësohen çdo ditë e më shumë.

Duke u shprehur se do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në çdo fushë, veçanërisht në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes, ambasadori Sakar u shpreh: “Jemi të vendosur ta çojmë më tej partneritetin tonë historik. Vizita zyrtare e presidentes Osmani në Ankara marsin e kaluar dhe vizita e ministrit të Jashtëm Çavuşoğlu në Kosovë në qershor, kontribuan ndjeshëm në zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve tona”.

Duke thënë se ka një potencial të madh mes dy vendeve që duhet vlerësuar, Sakar tha: “Mbështetja jonë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe vizioni i saj për integrimin euroatlantik mbetet i palëkundur. Ne duam ta shohim Kosovën të zë vendin e merituar në bashkësinë ndërkombëtare dhe të ndërtojë një të ardhme të ndritshme dhe të begatë në paqe të qëndrueshme me të gjithë fqinjët e saj”.

Presidentja Osmani, në fjalën e saj në ceremoni u shpreh e kënaqur me faktin se Türkiye është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe për mbështetjen që ka treguar në çdo fushë që nga pavarësia e vendit.

Duke përmendur kontributin e rëndësishëm të komunitetit turk që jeton në vend për zhvillimin e Kosovës, Osmani tha: “Siç ka treguar historia, diversiteti i kulturave, gjuhëve dhe etnive, krijon mundësi që shtetet dhe shoqëritë të jenë më të pasura dhe më të qëndrueshme kulturalisht. Komuniteti turk që jeton në Kosovë dhe shqiptarët që jetojnë në Turqi janë një faktor i rëndësishëm në krijimin e urave të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet kombeve dhe vendeve tona”.

Osmani theksoi edhe kontributin personal të presidentit Recep Tayyip Erdoğan për njohjen e Kosovës nga më shumë vende dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Pas fjalimeve, ceremonia u mbyll me një koncert të organizuar nga Orkestra e Yjeve të Filarmonisë Turke (TÜRKAY).

Kategoritë
LajmeVendi