Kosovë, për herë të parë mbahet marsh për ndërgjegjësimin mbi shëndetin mendor

Me mesazhe si “Kush paguan për terapi”, “Hulumtimi është shpresë”, “Nuk je vetëm” e të tjerë, dhjetëra të rinj bënë thirrje të ngritjes së vetëdijes mbi shëndetin mendor në vend

Është mbajtur nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri në Qeverinë e Kosovës për herë të parë marsh ndërgjegjësues mbi shëndetin mendor, në ditën e parë të Javës së Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor, raporton Anadolu.

Me mesazhe si “Kush paguan për terapi”, “Hulumtimi është shpresë”, “Nuk je vetëm” e të tjerë, dhjetëra të rinj bënë thirrje të ngritjes së vetëdijes mbi shëndetin mendor në vend.

Verona Kerçuku nga Qendra për Kërkime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, tha se ky marsh dërgon mesazh mbështetjeje dhe shprese për të gjithë njerëzit që kanë probleme me shëndetin mendor.

Ajo tha se përmes këtij marshi synojnë të promovojnë të kuptuarit e çështjeve të shëndetit mendor në Kosovë, të zvogëlojnë stigmën dhe diskriminimin rreth problemeve të shëndetit mendor dhe të avokojnë për rritjen e investimeve në shërbimet, politikat dhe hulumtimet e shëndetit mendor në vend.

“Jemi mbledhur e kemi marshuar për të gjithë ata individ që janë duke u ballafaquar me sfida të shëndetit mendor, për të gjithë ata që mund të jenë të privuar nga mundësia për ta kuptuar se janë duke u ballafaquar me sfida të shëndetit mendor, për ata që ende nuk ndihen të gatshëm të kërkojnë ndihmë për shëndetin e tyre mendor, për ata që edhe pse ndihen të gatshëm të kërkojnë ndihmë nuk janë të sigurt se ku ta kërkojnë dhe për të gjithë ata që kur kanë kërkuar ndihmë nuk ju është dhënë”, theksoi Kërçuku.

Kërçuku tha se qasja në shërbime cilësore të shëndetit mendor është një e drejtë themelore e njeriut, ku nën përgjegjësitë ligjore të qeverisë dhe politikbërësve, të gjithë individët, pavarësisht nga gjinia, mosha, raca, klasa, feja, përkatësia etnike, etj., duhet të jenë të ekspozuar plotësisht ndaj të gjitha mundësive për të realizuar këtë të drejtë.

Rritja e numrit të personave me çrregullime mendore është parë nga autoritetet vendore si faktor që ka rritur edhe numrin e vetëvrasjeve në Kosovë viteve të fundit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se parandalimi i sëmundjeve mendor fillon me ndërgjegjësimin lidhur me kuptimin e shenjave dhe simptomave të para të problemeve të shëndetit mendor.

Kategoritë
LajmeVendi