Ky observator, i cili tani është bërë me teleskop të ri nga SHBA ka qenë funksional vetëm për 10 vjet, nga viti 1977 kur është ndërtuar Pallati i Rinisë dhe Sporteve deri në vitin 1987
Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve është rihapur pas më shumë se 30 vjetësh Observatori i Prishtinës që do të shërbejë për vrojtimin e hapësirës dhe kozmosit për shkencëtarët, si dhe për të rinjtë e pasionuar pas kozmosit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky observator, i cili tani është bërë me teleskop të ri nga SHBA ka qenë funksional vetëm për 10 vjet, nga viti 1977 kur është ndërtuar Pallati i Rinisë dhe Sporteve deri në vitin 1987.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se observatori kishte mbetur aq gjatë jashtë funksionit sa që njerëzit e njihnin vetëm jashtë dhe vetëm si një strukturë cilindrike në kryeqytet pa e ditur se kishte shërbyer si vend për vrojtimin e gjithësisë.
“Që sot e tutje, i pajisur tashmë me një teleskop, ky observator do të jetë në shërbim jo vetëm të anëtarëve të apasionuar të Klubit të Astronomëve, por edhe të gjithë qytetarëve e në veçanti të rinjve dhe nxënësve duke i nxitur ata të bëhen studiues e kërkues të zellshëm”, theksoi Rama.
Sipas kreytarit Rama, teleskopi i ri pritet t’i kapë mirë të gjitha planetët e sistemit diellor, me gjithë satelitët dhe unazat e tyre, bashkë me planetët e vogël dhe brezin e asteroideve dhe yjet.
Nga viti 2018 observatori u mor nga Klubi i Astronomëve të Kosovës me qëllim të renovimit të tij si qendër multietnike për t’u përdorur nga të rinj të komuniteteve të ndryshme, mbështetur nga Komuna e Prishtinës dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Suhel Ahmeti nga Klubi i Astronomëve të Kosovës tha se janë shumë falënderues për të gjithë mbështetësit që ky projekt të restaurohet.
Ahmeti tha se lokacioni i observatorit është shumë lehtë i qasshëm për të observuar planetët, yjet dhe hënën.
“Ajo çfarë është interesante është se ne do të kemi tani shumë vizitorë në Kosovë për çfarë ky vend do të jetë vend turistik dhe po mundohemi ta mbajmë këtë vend sa më origjinal”, theksoi Ahmeti.
Në vitet e 70-ta dhe 80-ta, Prishtina përjetoi një fluks ndërtimesh arkitekturore të cilat sollën forma alternative të jetesës, kalimit të kohës e zhvillimeve të pasioneve si dhe punës. Gjatë kësaj kohe, qyteti ndryshoi jo vetëm pamjen, por edhe mënyrën e të jetuarit. Observatori ishte pjesë e këtij ndryshimi.