Kosovë, rreth 300 zyrtarë publikë të arrestuar për korrupsion në dy vitet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se duan etablim të shoqërisë që tregon zero tolerancë ndaj korrupsionit, ryshfetit dhe kontratave në këmbim të parave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka lansuar Strategjinë Kundër Korrupsionit duke theksuar se me këtë po përmbushen zotimet dhe përgjegjësitë e dhëna nga Qeveria për qytetarët e Kosovës, raporton Anadolu.

Në Qeverinë e Kosovës, ku morën pjesë, ministra, udhëheqës të institucioneve të agjencive shtetërore, doganave, agjencisë kundër-korrupsion e aktorë relevant u mbajt mbledhja e parë e punës për hartimin e strategjisë shtetërore kundër korrupsionit.

Kryeministri Kurti tha se duan etablim të shoqërisë që tregon zero tolerancë ndaj korrupsionit, ryshfetit dhe kontratave në këmbim të parave. Ai tha se Indeksi i Transparency International është tregues i mirë i suksesit të Qeverisë së Kosovës në luftimin e korrupsionit ku rritja për 20 vende më lartë në raport me praktikat e kaluara dëshmon vullnetin e Qeverisë për jetesë më të mirë për qytetarët.

“Jemi të obliguar të krijojmë ambient ku zyrtarët publik veprojnë në bazë të standardeve më të larta të etikës, ku shpërdorimi i detyrës zyrtare dënohet në mënyrë të drejtë dhe efikase bazuar në ligj dhe jo në teke personale, e ku sistemi gjyqësor e prokurorial zhvishet nga çdo lloj ndikimi politik dhe vepron vetëm në bazë të ndërgjegjes personale e përgatitjes profesionale të gjyqtarit e prokurorit”, theksoi Kurti.

Sipas tij, gjatë qeverisjes dyvjeçare janë treguar rezultate të prekshme në luftimin e krimit dhe kontrabandës që ka rezultuar në arrestimin e mbi 3.200 personave, prej të cilëve mbi 300 janë zyrtarë publikë dhe 38 të arrestuar vetëm në rastin e subvencioneve.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se përmes kësaj strategjie synohet të luftohet korrupsioni në të gjitha nivelet në vend. Ai tha se korrupsioni dobëson besimin e publikut dhe sundimin e ligjit, duke penguar rritjen ekonomike dhe duke penguar qytetarët për shërbime themelore, andaj “është përgjegjësi ta luftojmë këtë dukuri ballë për ballë”.

Murati theksoi se do ta kryesojë grupin ndër-ministror për hartimin e strategjisë shtetërore kundër korrupsionit.

“Rruga drejt luftimit të korrupsionit kërkon angazhim dhe vullnet të palëkundur të cilën si Qeveri e kemi dëshmuar tashmë dhe vazhdojmë t’i qëndrojmë prapa premtimeve tona për një të ardhme ku korrupsioni çrrënjoset dhe sundimi i ligjit mbizotëron”, theksoi Murati.

Në kuadër të kësaj mbledhjeje është përgatitur një dokument me parimet kryesore dhe shtyllat që do të trajtohen në kuadër të strategjisë kundër korrupsionit e cila u nda me grupin punues.

Agjencia shtetërore Kundër Korrupsionit gjatë vitit 2022 trajtoi gjithsej 619 raste të korrupsionit në Kosovë. Për trajtim në mënyrë “ex-officio” u iniciuan 415 ndërsa u proceduan 276 kallëzime penale në Zyrën e Kryeprokurorit Shtetit për procedim të mëtutjeshëm.

Kategoritë
LajmeVendi