Kosovë, shënohet 23 Prilli Dita Kombëtare e Turqve

Kryeministri Albin Kurti tha se komuniteti turk në Kosovë është pjesë përbërëse e mozaikut të pasur social dhe kulturor të vendit.

Në qytetin e Prizrenit është shënuar manifestimi kryesor me rastin e 23 Prillit, Ditës Kombëtare të Turqve të Kosovës, raporton Anadolu.

Në manifestimin e kësaj dite, e cila është festa më e rëndësishme kombëtare e turqve të Kosovës, morën pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) Fikrim Damka, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Türkiye-s, Mehmet Kemal Bozay, ambasadori i Türkiye-s në Prishtinë Sabri Tunç Angılı, si dhe ministra, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke, deputetë, kryetarë komunash dhe qytetarë.

Duke folur në ceremoninë e cila filloi me intonimin e himneve kombëtare të dy shteteve, kryeministri Kurti tha se komuniteti turk në Kosovë është pjesë përbërëse e mozaikut të pasur social dhe kulturor të vendit.

“Komuniteti turk në Kosovë ka luajtur rol të rëndësishëm pozitiv në historinë tonë moderne. Me përfaqësues të komunitetit turk jemi bashkë në institucionet e republikës duke dhënë kontribut për një Kosovë më të mirë e për mirëqenie më të lartë. Komuniteti turk në Kosovë sikurse edhe ai shqiptar në Türkiye janë urë e fuqishme e lidhjes mes dy shteteve tona”, theksoi Kurti.

Zv/ministri Bozay e filloi fjalën e tij duke përcjellë urimet dhe përshëndetjet e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu.

Bozay deklaroi se Türkiye do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e Kosovës në çdo fushë me të gjitha institucionet e saj.

“Edhe pse kanë kaluar vetëm 15 vjet nga pavarësia e saj, Kosova është shfaqur si një demokraci solide dhe një ekonomi në rritje në zemër të Ballkanit. Ne besojmë se shoqëria turke do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e vendit. Türkiye do të vazhdojë të kontribuojë për stabilitetin, prosperitetin, paqen dhe vëllazërinë në Kosovë, siç ka bërë deri më tani”, tha Bozay.

Me rastin e festës kombëtare të turqve të Kosovës e cila festohet çdo vit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, organizohen aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike në të gjithë vendin.

Kategoritë
LajmeVendi