Kosovë, shënohet dita ndërkombëtare e mbrojtjes së të dhënave personale

Komisionerja nga AIP, Sogojeva-Dermaku tha se nevoja për të mbrojtur të dhënat personale është një shqetësim në rritje në shoqëritë informative bashkëkohore të cilat karakterizohen me zhvillime teknologjike

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave nën moton “Tash më Sigurt”, me një konferencë me synim ngritjen e vetëdijesimit të aktorëve përkatës dhe publikut për të drejtat lidhur me mbrojtjen e të dhënave, raporton Anadolu Agency (AA).

Komisionerja nga AIP, Krenare Sogojeva-Dermaku tha se nevoja për të mbrojtur të dhënat personale është një shqetësim në rritje në shoqëritë informative bashkëkohore të cilat karakterizohen me zhvillime teknologjike.

Ajo tha se përderisa individët duhet të mbrohen nga mbledhja e padëshiruar, përdorimi dhe transferimi i të dhënave të tyre nga palët e treta, kjo nuk duhet të pengojë në rrjedhën e lirë të informatave që është e nevojshme për të nxitur debatin lidhur me çështjet me interes të përgjithshëm në shoqëritë demokratike.

“E drejta për mbrojtjen e të dhënave personale është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare. Kjo e drejtë është e realizueshme edhe përmes Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që Agjencia për Informim dhe Privatësi e ka mandat që ta mbikëqyrë zbatimin e këtij ligji”, tha Sogojeva-Dermaku.

Shefi i Këshillit të Evropës, Zyra në Prishtinë, Frank Power tha se Konventa 108 e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Individëve e ka dhënë kornizë konceptuale rreth mbrojtjes së të dhënave, e cila tanimë është pjesë e jetëve të qytetarëve të botës.

Power tha se megjithëse ajo është bërë vite më herët, Konventa 108+ u adoptua marrë parasysh zhvillimin e hovshëm të teknologjisë e më pas u lansua.

“Bota në 1981 ishte shumë e ndryshme nga bota e vitit 2022. Konventa u negociua dhe u plasua në kohën kur shumica dërrmuese e njerëzve fjalët: si internet, media sociale, objekte të lidhura me internet (connected objects) ose të dhëna (data), ishin të panjohura për të gjithë. Kështu, Konventa 108+, e cila e pasoi atë 108, u miratua dhe u hap për nënshkrim në vitin 2018, pas negociatave intensive midis Këshillit të Evropës dhe shteteve anëtare”, tha Poëer.

Ai theksoi si përfaqësues të Këshillit të Evropës në Prishtinë, mirëpresin faktin që Kosova ka një kornizë legjislative dhe kushtetuese që garanton të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale e gjithashtu parasheh edhe masat ndëshkuese shoqëruese.

“Si i tillë, ky legjislacion duhet zbatuar. Është me rëndësi që të gjithë të jemi të vetëdijshëm për të drejtat tona, por, edhe për pasojat nëse i ndajmë informatat e tilla të ndjeshme”, u shpreh Power.

Para 40 vitesh, Konventa 108 e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Individëve lidhur me procedimin automatik të të dhënave personale ishte traktati i parë ndërkombëtar që përcaktoi standardet në këtë fushë, duke formësuar kështu mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave në Evropë dhe më tej.

28 janari është ditë që shënohet në të gjithë botën, me qëllimin e vetëm, sensibilizimin e opinionit për të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Kategoritë
LajmeVendi