Kosovë, vazhdon konferenca ndërkombëtare për sigurinë kibernetike “Cyber Zero”

Në ditën e dytë të saj, kjo konferencë ka pasur temë kyçe “Zero Besim”, ku ndër të tjera janë prezantuar mënyrat për t’u mbrojtur privatësia personale në internet

Në Prishtinë po mbahet konferenca ndërkombëtare “Cyber Zero” që ka bërë bashkë një numër të përfaqësuesve të institucioneve, ekspertë të njohur të sigurisë nga rajoni dhe bota duke ndarë përvoja dhe praktika për sigurinë kibernetike, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ditën e dytë të saj, kjo konferencë ka pasur temë kyçe “Zero Besim”, ku ndër të tjera janë prezantuar mënyrat për t’u mbrojtur privatësia personale në internet.

Drejtoresha e Agjencisë për Informim dhe Privatësi në Kosovë, Krenare Sogojeva-Dermaku, tha se si institucion çdoherë kërkojnë për ndërgjegjësimin e institucioneve për ta zbatuar ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, ngase shkeljet e privatësisë janë shumë të shpeshta.

Ajo tha se mbrojtja e të dhënave nga institucionet dhe vetëdijesimi i qytetarëve për këtë çështje është bërë tani çështje shumë e rëndësishme për shkak të hovit të digjitalizimit.

“Shoqëria jonë ende nuk është mjaftueshëm e ndërgjegjësuar për të mbrojtur privatësinë e saj. Ata të cilët mbledhin të dhënat personale sot grumbullojnë këto të dhëna pa pasur bazë ligjore dhe pa ndërmarrë masat organizative teknike dhe masat e sigurisë për të mbrojtur të dhënat tona. Prandaj digjitalizimi e rrit llogaridhënien dhe transparencën institucionale”, theksoi Sogojeva-Dermaku.

Këshilltari ligjor në ambasadën e SHBA-së në Kosovë, John Hanley tha se Kosova nuk është vetëm një demokraci e re por është edhe një vend me popullsi të re dhe gjatë evoluimit teknologjik mund të bëhet target për sulme teknologjike me qëllim të keq.

Ai tha se të gjitha ato që diskutohen në konferencë janë po ashtu edhe shqetësime globale.

“Me sulmet e fundit në vendet fqinje, Kosova duhet të punojë me zell për të mbrojtur sigurinë kibernetike për të parandaluar sulmet eventuale”, theksoi Hanley duke shtuar se në SHBA, mbrojtja e të dhënave merret shumë seriozisht.

Sa i përket mbrojtjes së të dhënave, Agjencia për Informim dhe Privatësi në Kosovë, bëri të ditur se ka pranuar 421 ankesa gjatë vitit 2022 nga qytetarët, bizneset e mediat.

Gjatë vitit 2022 Kosova u prezantua për herë të parë me një panelist në Asamblenë Globale të Privatësisë në Istanbul të Türkiye-s, duke trajtuar zbatimin efektiv të kornizës ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale në botën digjitale.

Konferenca, e cila zgjat për tre ditë, organizohet në bashkëpunim me “Albanian Cyber Association” që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për sigurinë kibernetike dhe inovacionin në Kosovë si dhe me mbështetjen nga ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Kategoritë
LajmeVendi