Kosovë, zhvillohet konferenca “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”

Në Prishtinë është mbajtur konferenca e lidershipit në Ballkan “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”, raporton Anadolu Agency (AA).

Konferenca e cila organizohet nga Federata Universale e Paqes (UPF) dhe nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës ka bërë bashkë udhëheqës të shquar nga vendet e Ballkanit, institucionet rajonale dhe vendet evropiane.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij, ka thënë se Serbia nën regjimin e Millosheviqit ka kryer krime që kanë dëmtuar edhe shqiptarët edhe serbët dhe se krimet nuk duhet të harrohen kurrë dhe se duhet kërkuar drejtësi dhe falje për të arritur pajtimin.

“Mik i mirë i paqes është jo ai që qëndron indiferent ndaj shovinizmave luftënxitës dhe ju bën atyre lëshime të pajustifikueshme dhe kontraproduktive por ai që angazhohet për parandalimin e konflikteve të reja dhe evitimin e rigjenerimit të konflikteve të vjetra. Federata për Paqe Universale dhe ambasadorët e saj të paqes me vizionit largpamës të inspiruesit dhe themeluesit të saj, kanë luajtur dhe vazhdojnë të kenë një rol tejet të rëndësishëm në fushën e zgjidhjes së konflikteve, paqendërtimit dhe paqeruajtjes”, theksoi Kurti.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu tha se zgjatja e pafund e konfliktit të ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë nuk i shërben stabilitetit rajonal. Ai tha se Serbia me ndihmën e Rusisë po e bllokon Kosovën drejt anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare.

“Bashkimi Evropian duhet të vendos rregulla në shtetet anëtare, është një bashkim vullnetar, ka parimet e veta por për problemet themelore duhet një mirëkuptim. Sepse, janë jo pak po pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën. Kjo mungesë jo vetëm për mendimin tim është një anomali por është edhe frymëzuese për politikanët serbë, politikanët rusë”, theksoi Moisiu.

Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq tha se shteti i Kosovës është realitet dhe si i tillë duhet njohur. Ai theksoi se ka ende vende që nuk e kanë njohur Kosovën ose e kanë njohur dhe po i tërheqin njohjet.

Ai shtoi se këto janë vende të largëta që nuk e dinë se çfarë është Serbia, çfarë është Kroacia, çfarë është Kosova dhe e duan Jugosllavinë.

Mesiq sugjeroi që një delegacion serioz dhe me kompetenca të vizitojë vendet e Afrikës, Amerikës së Jugut, Azisë dhe vendeve të tjera dhe t’u shpjegojë liderëve të atyre vendeve pse Kosova duhet të jetë e pavarur dhe pse duhet të njihet. Ai tha se Sllobodan Millosheviqi ishte një mashtrues brutal, i cili mashtroi botën se luftonte për Jugosllavinë dhe në fakt ai e shkatërroi atë.

“Ai ka mashtruar edhe serbët. Ai asnjëherë nuk ka thënë se do një Serbi të Madhe etnikisht të pastër, nuk e ka thënë kurrë këtë, por ka thënë se serbët kanë jetuar në një shtet dhe se do të vazhdojnë të jetojnë në një shtet. Kjo do të thoshte të merrje pushkë, topa dhe të bëje territore të reja për të jetuar në një shtet. Kjo është arsyeja pse ai bëri luftëra në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, sepse qëllimi i tij ishte një Serbi e Madhe, etnikisht e pastër. Ju këtu në Kosovë e keni ndjerë atë më së miri”, ka thënë Mesiq.

 

– Yüksel: Serviset nga Ballkani të agjencisë u bënë shpejt një aktor kyç në mediat rajonale

Kryeredaktori i Gjuhëve Botërore të Anadolu Agency (AA), Erman Yüksel, në fjalimin e tij gjatë panelit të titulluar “Rritja e besueshmërisë së gazetarisë në Ballkan”, tha se si AA i kushtojnë rëndësi të madhe Ballkanit dhe trashëgimisë mbresëlënëse politike, historike dhe kulturore të rajonit.

Duke rikujtuar se në vitin 2012, AA hapi drejtorinë e saj të parë rajonale të gjuhëve të huaja në Sarajevë, Yüksel theksoi se “Lajmet tona të para në gjuhë të huaja ishin në shqip, maqedonisht, boshnjakisht, kroatisht dhe serbisht. Serviset nga Ballkani të agjencisë u bënë shpejt një aktor kyç në mediat rajonale me zyrat dhe rrjetin e korrespondentëve që krijoi në kryeqytetet dhe qytetet rajonale me kalimin e kohës”.

Ai tha se servisi i AA në gjuhën shqipe i hapur në vitin 2015, duke publikuar mbi 123 mijë lajme, mbi 48 mijë foto galeri dhe mbi 25 mijë video, është bërë një ndër burimet më të rëndësishme në Ballkan. Lajmet e servisit tonë në gjuhën shqipe, që vepron në Shkup, çdo ditë përdoren nga rreth 50 media rajonale”, u shpreh ai.

Duke thënë se si agjenci lajmesh janë të përkushtuar për të qenë të vërtetë, për të ofruar informacione dhe për të luftuar lajmet e rreme, keqkuptimet dhe dezinformatat dhe se si AA po punojnë në disa projekte në këtë drejtim, Yüksel shtoi se AA mezi pret të rrisë numrin e abonentëve dhe partnerëve të saj të biznesit dhe të rrisë cilësinë e përmbajtjes së saj në Ballkan dhe më gjerë.

Në hyrje të konferencës, fjalë rasti mbajtën edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ish-presidentja e serbe Natasha Miciq, Senida Mesi, ish zëvendëskryeministre dhe Werner Fasslabend, kryetari i Institutit Austriak për Siguri dhe Politikë Evropiane.

Përpos UPF-së konferenca sponsorizohet edhe në partneritet me Agjencinë e Lajmeve “KosovaPress”, Washington Times Foundation, Shoqatën Ndërkombëtare të Mediave për Paqe (IMAP) dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Rinisë dhe Studentëve për Paqe (IAYSP).

Ndër sesionet dhe temat që po zhvillohen në këtë konferencë janë: “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”, “Raportimi Etik në Situata Konflikti”, “Rritja e Besueshmërisë së Gazetarisë në Ballkan”, “Ndërveprimi i të rinjve dhe e ardhmja e Ballkanit”.

Iniciativa e Paqes në Ballkan ka qenë fokusi kryesor i UPF-së në rajonin Evropë-Lindje e Mesme që nga viti 2006.

Kategoritë
LajmeVendi