Kosovën e kap edhe kriza për anesteziologë, tetë ikën sivjet, s’po aplikon askush në konkurse për 620 euro

Pos mjekëve e infermierëve, QKUK’ja dhe spitalet e tjera të vendit po përballen edhe me mungesë të anesteziologëve. Vetëm gjatë këtij viti, tetë e kanë lënë punën. Në total, janë të angazhuar 87 anesteziologë, por sipas Drejtorit të Klinikës së Anesteziologjisë, Gazmend Spahijës, nevojat janë për më shumë se kaq.

Shëndetësia në vend është buzë kolapsit. Përveç infrastrukturës së dobët e të vjetëruar, Kosova po përballet edhe me mungesë të stafit shëndetësor.

Mjekët e infermierët kanë ikur më të madhe nga Kosova gjatë viteve të fundit, në kërkim të kushteve më të mira.

Këtij trendi i janë bashkuar edhe anesteziologët. Veç sivjet, tetë anesteziologë kanë dhënë dorëheqje nga QKUK’ja.

Për mungesën e këtyre profesionistëve shëndetësor ka folur Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë, Gazmend Spahija.

Spahija ka treguar se në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës janë të punësuar 48 anesteziogë, numër ky që s’i plotëson as për së afërmi nevojat.

Vetëm për nevojat e QKUK’së, ai thotë se janë të domosdoshëm 120 anesteziologë.

Ai ka treguar se paga e një anesteziologu është 620 euro.

“Numri i vogël i anesteziologëve nuk lejon sistemin e anesteziologëve nëpër klinika- anesteziologët sistemohen nëpër klinika sipas nevojës. Për nevojat e QKUK-së janë të domosdoshëm 120 anesteziologë. Kliniken e Anesteziologjis dhe Mjekimit Intensiv kete vit e kane leshuar 8 anesteziologe te cilet kan qene te angazhuar ne Kliniken Abdominale-2, Kirurgjine Maksiollofaciale-1, Ortopedi-1 Otorinolaringologji-1, Kardiokirurgji-1 dhe sipas nevojes se Klinikes-2”, ka thënë Spahija.

Gjendje hiç më e mirë s’është as në spitalet regjionale. Në shtatë spitale, punojnë vetëm 39 anesteziologë.

Në Spitalin e Vushtrrisë është i punësuar vetëm një, derisa Prizreni ka të angazhuar 11.

“Në QKUK, për momentin punojnë 48 anesteziologë, në spitalet regjionale punojnë 39 anesteziologë. Nr i anesteziologëve në spitalet rajonale: Vushtrri 1; Mitrovicë 4; Pejë 8; Gjakovë 5; Prizren 11; Ferizaj 4; Gjilan 6”, thuhet në përgjigjet e Spahiajt.

Për mungesën e anesteziologëve në Vushtrri ka folur Drejtoresha e Spitalit “Sheikh Zayed”, Shefkije Shatri.

Shatri i ka thënë Gazetës Express se e kanë vetëm një anesteziolog me kontratë të rregullt, por se kanë angazhuar tre të tjerë për shërbime të veçanta.

Thotë se vështirë funksionojnë me këtë numër.

“Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri, aktualisht ka një anesteziolog me kontratë të rregullt dhe tre anesteziologë të tjerë për shërbime të veçanta, përkatësisht për kudjestari. Funksionimi edhe pse i vështirë blloku operativ është duke funksionuar si dhe në të njëjtën kohë jemi duke i mbajtur edhe kujdestaritë”, ka deklaruar Shatri.

Drejtoresha ka sqaruar se para disa muajsh kishin hapur edhe një konkurs për punësimin e tyre, por që ka mungesë.

“Para disa muajsh kemi shpallur konkurs publik por në mungesë të konkurrentëve nuk është plotësuar numri”, thuhet në përgjigjet e Shatrit.

Kategoritë
LajmeVendi