Kosovës pritet t’i kushtojë rreth 316 milionë euro importi për energji gjatë dimrit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se sa i përket konsumit të energjisë-elektrike gjatë muajve të dimrit, pritet të ketë një konsum prej 4.12 milionë megavat/orë, ndërsa gjenerimi nga ana e KEK-ut pritet të jetë 3.2 milionë megavat/orë.

Sipas ministres Rizvanolli, Kosova do të ketë nevojë për të importuar 728 mijë megavat/orë energji-elektrike që pritet të kushtojnë rreth 316 milionë euro.

“Nevoja për import do të varet në masë të madhe nga ajo se sa kapacitetet e KEK-ut do të jenë në gjendje të gjenerojnë.Pra, konsiderojmë që mënyra më e mirë është që të ulim konsumin dhe të ulim importin në mënyrë që këto mjete të mund të përdoren për qëllime të tjera”, tha Rizvanolli.

Po ashtu ajo tha se qytetarët s’kanë nevojë për të aplikuar për subvencionimin e energjisë elektrike nga ana e qeverisë, pasi sipas saj, të dhënat do të merren direkt nga KESCO.

“Muaji që do të fillohet është muaji shtator, do të thotë për faturën e shtatorit ndërsa për informata të tjera do të ketë detaje në ditët në vijim”, është shprehur Rizvanolli.

Ndryshe ministrja Rizvanolli është deklaruar për masat për subvencionin e efiçiencës së energjisë për qytetarët.

Ajo bëri të ditur se tani është hapur thirrja për subvencionim të pajisjeve efiçiente ekonomike për ngrohje për qytetarët.

Sipas saj, këto pajisje kanë vlerë prej gjashtë milionë eurosh.

“Subvencionimi i efiçiencës së energjisë përmes kësaj thirrje ju mundëson qytetarëve të blejnë pajisje me nivel të lartë të efiçiencës, që ndikon direkt në: (i) reduktimin e kërkesës për energji/ energji elektrike dhe (ii) rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për nevojën e kursimit të energjisë”.

PAJISJET TË CILAT DO TË SUBVENCIONOHEN:

Pompë termike

Pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë (kondicioner/ klimë eficiente)

Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket)

Stufa individuale me biomasë./Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeVendi