Kovaçevski nga Ohri: Në vend të mureve, “Ballkani i Hapur” po ndërton ura

Kryeministri Kovaçevski zhvilloi një darkë pune në Ohër me liderët shtetëror nga Serbia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, në prag të samitit të iniciativës “Ballkani i Hapur”

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, së bashku me përfaqësues të tjerë të qeverisë në vilën “Biljana” në Ohër priti liderët dhe realizoi një darkë të përbashkët, ndërsa nesër bashkë do të marrin pjesë në pjesën zyrtare të samitit “Ballkani i Hapur”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kryeministri Kovaçevski zhvilloi një darkë pune me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Kovaçevski theksoi se ka nder të veçantë të jetë nikoqir i samitin, i cili i kushtohet ardhmërisë së iniciativës “Ballkani i Hapur”.

“E theksoj të ardhmen, sepse ne kemi dëshmuar se ‘Ballkani i Hapur’ e lë pas të kaluarën. Në vend të mureve si më parë, ‘Ballkani i Hapur’ po ndërton ura. Ai hap perspektiva të reja për vendet tona, popujt tanë, ekonomitë tona dhe shoqëritë tona”, citohet të ketë thënë Kovacevski në fjalimin përshëndetës përpara darkës së punës.

Kovaçevski theksoi se iniciativa “Ballkani i Hapur” i fshin kufijtë mes popujve të vendeve të rajonit dhe përmes bashkëpunimit dhe lidhjes së ndërsjellë arrihet një vizion i përbashkët për ndarjen e vlerave evropiane.

“Ne lidhemi me Ballkanin e Hapur me një synim të qartë, të hapur dhe publik që popujt tanë të ndjejnë përfitimet e drejtpërdrejta ekonomike të lehtësimit që ne ofrojmë”, shtoi Kovaçevski.

Ai gjithashtu u shpreh se me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Rama kanë rënë dakord se evropianizimi dhe zbatimi i vlerave evropiane në Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Shqipëri nuk ka arsye për të pritur.

“Edhe një herë themi se ftesa për t’iu bashkuar iniciativës ‘Ballkani i Hapur’ është e hapur për të gjitha vendet e rajonit. Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina janë me ne sonte dhe shpresoj se kjo iniciativë do të zgjerohet edhe më tej”, tha kryeministri Kovaçevski, duke shtuar se ftesa për t’iu bashkuar iniciativës “Ballkani i Hapur” është e hapur për të gjitha vendet e rajonit.

Duke i uruar mirëseardhjen të ftuarve, kryeministri Kovaçevski uroi samit të suksesshëm dhe të begatë me ide të reja për zhvillimin e rajonit dhe përfitime për të gjithë qytetarët.

Iniciativa “Ballkani i Hapur” aktualisht mbulon një zonë ekonomike dhe politike midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, që synon të nxisë mundësitë e tregtisë dhe shkëmbimit të studentëve për rreth 12 milionë njerëz, si dhe të inkurajojë integrimin e të tre vendeve në Bashkimin Evropian.

Për herë të parë në një samit të kësaj iniciative janë pjesë edhe liderët nga Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Kategoritë
LajmeRajoni